
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, thotë se taksa 100% e vendosur mbi produktet serbe e ka bërë dënim e saj. I pyetur në Davos, në lidhje me komentin e Avni Arifit, shefi i kabinetit të Haradinajt, i cili ka folur për një pezullim të përkohshëm të taksës, Vuçiç tha se kjo mund të ndodhë herët a vonë.
“Pavarësisht nëse e anulojnë, e pezullojnë apo gjejnë një mënyrë tjetër, unë nuk shqetësohem më për këtë. Ata na kanë bërë dëm të madh dhe kanë shtuar tensionet. Thashë që revokimi i taksës do të ndodhë dhe ashtu do të bëhet. Pavarësisht se ne kemi paguar një çmim të lartë për këtë”, tha Vuçiç.
Ai është shprehur se pavarësisht dëmeve që i janë shkaktuar Serbisë, askush nuk do ta kompensojë: as Prishtina dhe as BE-ja.
Siç raporton B92, Vuçiç është takuar në Davos me kancelaren Merkel dhe komisionerin Johannes Hahn. Tema kryesore ka qenë Kosova.
“Nuk ka qenë bisedë e thjeshtë. Ne në Serbi kemi këndvështrimin tonë për këtë çështje, por vendet që e njohin Kosovën mbajnë qëndrime të tjera. Por Merkel e vlerëson dhe respekton dëshirën tonë për t’u ulur në bisedime dhe për të arritur një kompromis”, ka thënë Vuçiç.



