Avokati Arben Llangozi beson se masa “detyrim paraqitje” e vendosur ndaj gazetarit Elton Qyno nga SPAK, është bërë vetëm për t’i mbyllur gojën, pasi ka përgjime të Sky Ecc, ku dalin emrat e tre prokurorëve dhe dy gjyqtarëve. Llangozi vuri në dukje se nuk ka prova të drejtpërdrejta që e implikojnë gazetarin Qyno. Ai shtoi se nuk ka dalë Qyno në përgjim, por kanë folur persona të tjerë që kanë folur për gazetarin.
“Janë disa biseda të cilat janë komunikime mes anëtarëve të grupeve kriminale, ku janë përmendur edhe emrat e Elton Qynos dhe Artan Hoxha, ku përflitet se janë porositur lajme në këmbim të shumave monetare. Ka biseda të ndryshme. Porositet një lajm dhe ai lajm s'ka qenë sipas vullnetit të tyre. SPAK e quan që s’kemi të bëjmë me lajme që duhet të informohet interesi publik, por porosi për interesa të grupeve kriminale. Pretendimi i SPAK është ky. Janë biseda të dala në komunikimin e Sky, pa asnjë provë tjetër. Për momentin janë vetëm disa komunikime të disa anëtarëve të grupeve kriminale.
Është e njëjta akuzë për të dy personat, korrupsion pasiv në sektorin privat. Ishin sekuestruar një laptop dhe dy telefona në shtëpinë e Elton Qynos. Nuk ka pasur sjellje negative nga oficerët e BKH-së. Pasi janë dërguar te prokuori, ai ka konstatuar paligjshmëri në sekuestro dhe në kontroll banese, si te Qyno dhe Hoxha. Dy veprime që SPAK i korrigjoi dhe iu kthyen sendet dy personave. Kam besim te pafajësia e Elton Qynos, si njeri korrekt. Kam besim te drejtësia që pavarësisht se do vonojë, do t’i rikthehet atij. Në lidhje me faktin që janë përfituar vlera monetare s’ka asnjë lloj prove, dhe asnjë komunikim mes Qynos dhe një shtetasi tjetër. Janë komunikime përmes personave të tretë. Unë besoj që Qyno s’është i implikuar.
E shoh si tendencë për t’i bërë presion Qynos, ngaqë ka përgjime te Sky, ku kanë dalë edhe prokurorë të SPAK. Vet SPAK e ka pranuar, janë gati tre prokurorë dhe dy gjyqtarë që kanë dalë në përgjimet e Sky. Një është gjyqtare Apeli. Kanë dalë duke ndikuar edhe në procesin e Vetingut. Në një përgjim që ka dalë është që i është hequr çështja e ‘Toyota Yaris’ Dumanit dhe i jepet dy prokurorëve të tjerë. Për Elton Qynon mbetet në kuadër të fjalëve, s’kemi të bëjmë me një provë konkrete. Ndërkohë që këta gjyqtarë dhe prokurorë i kanë të provuara. Është cenuar figura e Qynos me qëllim që të ndikohet procesi në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese. Unë mendoj që Qyno i ka informacionet.
Problemi i prokurorëve është që veprimet hetimore do t’i kryejnë në mënyrë selektive, dhe do përballen me një fakt të ri të denoncuar nga Qyno. Përse u bënë 5 vite që këto përgjime të Sky s’janë zbardhur? Fakti që i mbajnë vetëm për SPAK, është një pikëpyetje e madhe për hetime selektive. Dyshoj se kjo masë ndaj Qynos është bërë vetëm për t’i mbyllur gojën sepse kanë frikë se këto përgjime do t’u bien kokës. Qyno ka të gjitha përgjimet e ‘Toyota Yaris’. I ka se ma ka thënë mua”.
Llangozi shtoi se Artan Hoxha ndryshon nga rasti i Qynos sepse ka patur vet Sky Ecc.



