
Nga fillimi i marsit, deri sot janë djegur 167 hektarë sipërfaqe, kryesisht pyje dhe kullota. Zjarret kanë qenë të gjitha të qëllimshme. Në një deklaratë për mediat, Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, tha se me fenomenin e zjarrvënies së qëllimshme janë përballur pothuajse të gjitha prefekturat.
“Dhjetëra vatra zjarri kanë përfshirë sipërfaqe të shumta, në disa njësi administrative në thuajse të gjitha prefekturat. Prej datës 3 mars e deri më sot, janë konstatuar 69 vatra zjarri, të cilat kanë djegur 167 hektarë. Për 22 ditë janë djegur sipërfaqe me kullota, pemëtari dhe pyje, të konsideruara si zona të mbrojtura duke sjellë pasoja shumë të mëdha si në ekonomi ashtu edhe në mjedis. Sipas analizës së EC, kjo situatë është e qëllimshme. Të gjitha vatrat e zjarrit janë ndezur nga dora e njeriut”, tha ai.
Çako tha se zjarret nuk kanë marrë përgjigjen e duhur nga autoritetet vendore, pavarësisht se ato janë përgjegjësi kryesor.
“Autoritetet vendore mjaftohen vetëm me konstatimin e problemit apo kërkesat për ndërhyrje nga ajri. Autoritetet vendore heshtin, kur bëhet fjalë për marrjen e masave parandaluese për raste të tilla apo për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësive të shkaktarëve të zjarrit. Për të gjithë ata drejtues vendorë të cilët bëjnë veshin shurdh ju rikujtoj ligjin për “Për emergjencat civile , “Ligjin për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi”, si dhe të gjitha akteve të tjera ligjore dhe nënligjore. Pushteti vendor është përgjegjësi direkt për organizimin e masave parandaluese, ruajtjen e sipërfaqeve pyjore dhe kullotave dhe identifikimin e vatrës fillestare dhe autorëve me përgjegjshmëri maksimale”, tha Çako.



