
Socialistët do të organizohen për zgjedhjet vendore, pavarësisht vendimit të paralajmëruar nga PD-ja për djegien e mandateve. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, kreu i PS-së, Edi Rama, mësohet se u ka kërkuar deputetëve angazhim për zgjedhjet vendore, pavarësisht se çfarë bën opozita.
Kryeministri është shprehur skeptik në lidhje me vendimin e demokratëve, duke vënë në dyshim unanimitetin e vendimit për djegien e mandateve. Ndërkohë, ai ka ftuar socialistët që ta përdorin protestën dhe akuzat e opozitës për të reflektuar në lidhje me nevojën për të ndryshuar.
“Nuk besoj se do të gjejnë konsensus për djegien e mandateve. Ne duhet të përmirësohemi. Mes shpifjeve të kundërshtarëve të shohim çfarë nuk shkon me ne”, është shprehur Rama gjatë mbledhjes me deputetët e partisë së tij.



