Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, dërgimin në Gjykatën Kushtetuese ligjin për tatim-fitin e profesionistëve të lirë nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar e sheh si të duhur.
Duke folur në emisionin MCN Economy, Soko tha se nuk e kupton se pse u bë një ligj i tillë, duke shtuar se nuk ka asistencë nga pikëpamja fiskale, pasi të ardhurat buxhetore impaktohen me 0.4% të tyre.
Vetëm tatimi i profesionistëve të lirë nuk do të prodhojë as 3 miliardë lekë, as 1% të buxhetit të shtetit. Ligji targeton profesionet e lira.
Halli më i madh që ka sot Shqipëria janë profesionistët, mjekët, inxhinierët, veterinerët, zanatçinjtë, ne kemi një problem shumë të madh me mungesën e këtyre.
Ne vuajmë largimin e tyre, qeveria në vend që të bëjë diçka për ti mbajtur në vend, shkon dhe iu rrit barrën fiskale.
Ne rrezikojmë një shtresë të tillë kaq delikate sa profesionistët e lirë të largohen, për ca qindarka. Ky ligj është diskriminues.
Për profesionistët e lirë u vunë taksën, por për këto hotelet me 5 yje për ndikimin në infrastrukturë në masën 6% nuk u kujtua njeri.
Këtë po ju themi neve, ti që studion në shkollë do taksohesh 23%, të tjerët që nuk shkojnë në shkollë e kanë zero.
Kjo gjë rrit evazionin fiskal, ndoshta ky është dhe qëllimi, që ata inspektorët të vijnë të kontrollojnë të marrin dhe ndonjë lekë.
Ligji ndikon mbi ata që zbatojnë ligjin, ata që nuk e zbatojnë ligjin, s’duan t’ia dinë.
Paguan 3 mijë veta për të kontrolluar evazionin fiskal. Ligji vret të ndershmin se ai e zbaton ligjin.



