Aksionet e kompanisë Boeing u mbyllën me rënie 2.2 për qind të premten dhe kanë rënë gati 12 për qind që nga incidenti i 5 janarit, kur dera e një avionit u shkëput gjatë një fluturimi mbi Oregon.
Prej 1 jave autoriteti Federal i aviacionit ka pezulluar për një afat të pacaktuar fluturimin e të gjithë aeroplanëve Boeing 737 MAX 9.
Ajo që e ka rënduar edhe më shumë përgjegjësinë e kompanisë është fakti se pilotët kishin paralajmëruar për problemet që shfaqte të ky lloj avioni mbi një lartësi të caktuar, por këto nuk ishin marrë parasysh.
Edhe kontrollet paraprake gjetën butona të liruara në disa pjesë të avionit, përfshi dritaret anësore dhe dyert e emergjencës.
Autoriteti i aviacionit, sipas medieve amerikane, do të auditojë linjën e prodhimit dhe furnizuesit të Boeing 737 ndërsa një ent tjetër i pavarur do të merret me certifikimin e sigurisë së avionëve të rinj. Deri më tani, urdhëri i ndalimit ka prekur 171 avionë.
Alaska Airlines dhe United Airlines, dy linjat ajrore amerikane që përdorin Boing, është dashur të anulojnë qindra fluturime javën e fundit për shkak të urdhërit të ndalimit. Edhe në bursë ka pasur luhatje.
Kompania e ka pranuar problemin, nuk e ka fshehur atë dhe ka thënë se do të bashkëpunojë plotësisht dhe në mënyrë transparente me autoritetet për të çuar përpara hetime të thelluara.



