Një 43-vjeçar i dënuar tri herë më parë për mashtrim është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës. Operacioni i koduar “Rent a Car”, bëri të mundur zbardhjen e një skeme mashtrimi nëpërmjet makinave me qira.
Sipas policisë, përfaqësuesi i një kompanie që jepte mjete me qira ka denoncuar 43 vjeçarin me iniciale A.B, i shpallur në kërkim, se i kishte marrë 5 automjete dhe nuk i kishte kthyer më ato.
“Specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik,
kanë arritur të dokumentojnë me prova ligjore, se shtetasi A. B., merrte automjete me qira në kompani të ndryshme dhe më pas i shiste ato me çmim më të lirë se ai i tregut në persona të tretë ose i linte në individë të ndryshëm me qëllim marrjen e shumave të ndryshme monetare (peng)”, sqaron policia.
Ndërkohë, penalisht në gjendje të lirë po ndiqet shtetasi me iniciale P.C, 41 vjeç, i cili jepte shuma monetare me qëllim përfitimi, “ku shtetasve të cilët i kërkonin shumat monetare, për garanci u mbante automjetet apo sende të tjera me vlera të larta monetare”.
Në garazh dhe në pjesën e oborrit të banesës së tij, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 22 automjete, ku 3 prej tyre janë automjete të marra me qira nga shtetasi A. B., pranë një shoqërie për dhënie mjetesh me qira.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
7 automjete të markës “Audi”
5 automjete të markës “Mercedes Benz”
2 automjete të markës “Ford”
2 automjete të markës “Volkswagen”
2 automjete të markës “Peugeot”
1 automjet i markës “Land Rover”
1 automjet i markës “BMW”
1 automjet i markës “Fiat”
1 automjet i markës “Porsche”
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi”.



