
Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së BE-së, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë ku është pritur nga kryeministri Edi Rama.
Në konferencën e përbashkët me homologun e tij shqiptar, Borissov u shpreh se janë dy tre vende që janë skeptike ndaj Shqipërisë për sa i përket hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
"Kemi akoma dy tre shtete që janë skeptike ndaj Shqipërisë, por shumica e vendeve evropiane mendojnë se edhe pse me kusht, Shqipërisë duhet t'i jepet një datë dhe një rrugë për fillimin e negociatave. Po bëjmë përpjekje të mëdha të bindim këto vende deri në fund të qershorit", tha Borisov.
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë Rama i vlerësoi marrëdhëniet me Bullgarinë si të shkëlqyera, duke përmendur këtu miratimin e ligjit për pakicat kombëtare.
"Marrëdhënia jonë me Bullgarinë është një marrëdhënie jashtëzakonisht pozitive. Kemi diskutuar për mundësinë e mbështetjes nga Bullgaria në kuadër të negociatave teknike. E shikojmë me admirim që Bullgaria nga një vend që ishte në fund me thithjen e fondeve jep një shembull të shkëlqyer për këtë. Shpresoj të kemi një lajm pozitiv të shumëpritur për Shqipërinë dhe Maqedoninë për hapjen e negociatave", tha Rama.
Kryeministri Rama i ka dorëzuar medaljen e mirënjohjes homologut të tij bullgar, pasi ai ka bërë një sforco të jashtëzakonshme duke vendosur axhendën e Ballkanit në shtyllën kryesore, por duke qenë edhe avokati i Shqipërisë dhe Maqedonisë.



