
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra gjyqtarin e Apelit të Vlorës Hysen Saliko.
Shkarkimi i tij ka ardhur pasi i janë konstatuar probleme me pasurinë.
Çështjet e diskutuara në KPK kanë qenë mbi ekzistencën dhe ligjshmërinë e të ardhurave të tij nga ekonomia bujqësore e familjes si dhe mbi një pagesë të regjistruar nën emrin e tij me vlerë 30 mijë euro në një bankë të nivelit të dytë, për të cilën Saliko ka thënë se duhet t’i jetë falsifikuar firma.
Sipas Salikos, ai dhe familja e tij zotërojnë një fermë të specializuar në mbarështimin e bletëve dhe me një kopsht me 400 rrënjë mollë, aktivitet që i ka dhënë familjes mundësinë të blejë dy apartamente në Tiranë dhe një makinë modeste prodhim i vitit 2002. Deklaratat e pasurive të Salikos tregojnë se bujqësia dhe në veçanti, bletaria, i kanë dhënë familjes së tij disa qindramijëra lekë çdo vit për një total prej rreth 15 milionë lekësh përgjatë dekadave të fundit.
Relatorja Suela Zhegu deklaroi se të ardhurat nga bujqësia nuk janë shoqëruar me dokumentacion dhe se për rrjedhojë, Saliko rezulton në pamundësi për të blerë një apartament në vitin 2010 në Tiranë. Gjyqtari Saliko dhe avokati i tij kanë deklaruar se subjekti nuk e ka bërë pagesën 30 mijë euro, duke sugjeruar se dikush tjetër ka bërë pagesën në emër të tij dhe i ka falsifikuar firmën.
Hysen Saliko e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1994. Deri në vitin 2006, Saliko ka ushtruar detyrën si kryetar i Gjykatës Kolonjë dhe në vitin 2006 është transferuar si inspektor në ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në vitin 2010, Saliko është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë.



