Në Gjykatën e Posaçme të Apelit mbahet sot seanca gjyqësore për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Ky i fundit ka mbërritur në mjediset e gjykatës në prani të avokatit të tij, Maks Haxhia.
Apeli pritet të shqyrtojë vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, dhënë ndaj Tahirit në shtator të viti të kaluar për akuzën “shpërdorim detyre”.
Më 19 shtator 2019, Saimir Tahiri u dënua me 5 vite burg të konvertuara me gjykim të shkurtuar në 3.4 vite shërbim prove.
Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte kërkuar 12 vite burg për Tahirin për 3 vepra penale “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.
Vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda nuk kënaqi asnjërën nga palët. Si Tahiri, edhe Prokuroria e apeluan zyrtarisht vendimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Prokuroria e akuzonte Tahirin se në kohën kur ishte ministër i Brendshëm bashkë me ish-drejtorin e Policisë Vlorë, Jaeld Çela, kanë bashkëpunuar me Moisi Habilajn në aktivitetin e paligjshëm të trafikut të drogës.



