Rruga Beshku e cila ndodhet në periferi të Laprakës në Tiranë nuk e njeh asfaltin dhe banorët ankohen se janë lënë si në Afrikë.
Emisioni “Fol” në MCN TV në një bisedë me banorët e kësaj zone u njoh me shqetësimet e tyre, të cilët shprehen se bëhet fjalë për 450 metër rrugë dhe pavarësisht kërkesave dhe trokitjeve të vazhdueshme në bashkinë e Tiranës nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Në dimër rruga bëhet gati e pakalueshme, në verë të mbyt dheu dhe pluhuri. Rruga është si në Afrikë, çdo vit i jemi drejtuar bashkisë dhe në çdo fushatë na premtohet.
Nuk e kuptojmë kujt shteti i përkasim. Tregun e bënë, shinat na i lanë ne. Aty ku iu interesojnë i kanë hequr hekurat. Janë gati 1000 banorë që shkelin në këtë rrugë. Nuk ka kanalizime.
Dikush i ka banjat me gropa septike. Jemi mes dy autostradave por jetojmë si në Mesjetë. Dikur ishte treni i ARMO-s, treni i naftës, ka mbi 15 vite që është hequr.
Shinat na i nxjerrin si pretekst. Jemi lënë si në Afrikë, pa kanalizime, pa asgjë, ndërkohë taksat i paguajmë.
Duke shfrytëzuar rrugën e keqe njerëzit hedhin mbeturinat anash, po të vijë bashkia dhe të thotë kemi bërë për Tiranën, por na kanë lënë si në Mesjetë.
Bashkia vjen vetëm për taksa e gjoba. Po kur ka mungesë uji që vjen vetëm 10 minuta në 24 orë, se rruga e keqe ka çarë tubat.
Nuk ka infrastrukturë ku të futet kanalizimi në rregull, tubacioni në rregull. Përdorin si pretekst shinat.
Na kap njësia Kashar, kur ishte komunë i trokisnim komunës, tani i jemi drejtuar bashkisë.
Janë bërë disa herë kërkesa dhe na thonë që janë shinat. Shinat shërbenin si pikë furnizimi me karburant për hekurudhën.
Pjesa më e madhe e shkresave ndaj bashkisë janë dërguar në vitin 2023. Shkresa e fundit për Veliajn ishte në vitin 2024.
Ata e kanë me detyrim që të kthejnë përgjigje brenda 10 ditësh, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
Një tjetër banor shprehet se nënkryetarja e bashkisë Romina Kuko në një takim fushate iu premtoi zgjidhje për rrugën, dhe se i ka dërguar çdo javë nga tre emaile rresht dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje, ndonëse premtoi që do të merrej personalisht.
Kryebashkiakun Veliaj nuk e kam parë asnjëherë të vijë, deputetët vijnë të marrin votat dhe ikin.
I bëj thirrje Edi Ramës të vijë të takoj një herë popullin.
Një banor i kthyer nga emigrimi në vitin 2015, rrëfen se pas thirrjes së kryeministrit për tu kthyer dhe investuar në Shqipëri vendosi të kthehej.
Erdhëm dhe gjetëm po të njëjtën baltë që kishim në 1995. Çfarë ndryshimi ka bërë? Unë të njëjtën gjë gjeta. Kjo është shumë e dhimbshme.
Të shikosh rrugët e botës dhe fshatrat i ke të gjitha me asfalt, jo më në zona të banuara që nuk diskutohet.
Dhe thonë pse kanë ikur të gjithë, sepse asgjë nuk ka.
Jemi 2 kilometër larg qendrës së Tiranës, jemi mes dy portave hyrëse të Tiranës dhe jemi si një kopsht zoologjik.
Edhe si kur të bëhet asfalti nesër, po nuk ka kanalizime, nuk ka rrugë. Pikërisht prej kësaj rruge nuk ka asnjë zhvillim, as lagja, as zona. Shteti të vërë dorë.
Shfrytëzova një mikun tim për të më bërë nder dhe hedhur çakull. Mundohemi ta mirëmbajmë vetë.
Taksat na i marrin, një lopatë asfalt nuk na e hedhin. Hapi i radhës nuk do dalim në votime.



