Sot në Bruksel do të mbahet takimi i ardhshëm mes kryenegociatorëve të dialogut Kosovë- Serbi, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Fokusi i takimit pritet të jetë implementimi i marrëveshjeve të arritura, derisa kryenegociatorët pritet të kenë takime veç e veç me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak.
Para takimit ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak vizitoi Prishtinën e Beogradin për të caktuar datën dhe agjendën e takimit të sotëm. Ndërkohë, pati deklarime se takimi i planifikuar ishte refuzuar nga pala serbe.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi më 13 shtator deklaroi se Serbia e ka refuzuar takimin në nivel kryenegociatorësh të planifikuar më 17 shtator, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak.
Ndërkohë, dje Qeveria e Kosovës njoftoi se zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi ka udhëtuar drejt Brukselit, ku do të marrë pjesë në takimet e radhës të parapara në kuadër të procesit të dialogut.
Nga ana e tij Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti se e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është në institucionet e Bashkimit Evropian dhe se dialogu mes tyre, i ndërmjetësuar nga BE-ja, është “e vetmja rrugë përpara”.
I kontaktuar nga REL për të komentuar kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për Kosovën, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se SHBA-ja “vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve”.



