
Emisioni “Fol” u ndal këtë të mërkurë në zonën e Kodrës së Priftit në Tiranë, ku banorët kundërshtojnë projektin e Unazës veriore të Unazës së Madhe, që prek rreth 40 banesa të ndërtuara pas viteve ‘90-të.
Banorët ngrenë akuza për devijim të projektit nga projekti i parë që sipas tyre prekte vetëm 7 shtëpi.
Njëri nga banorët, me emrin Ferdinand tha për mikrofonin e MCN TV, se pjesa që kap loti 4 është një gjatësi 600 metër dhe kap 40 ndërtesa, me mbi 60 familje.
Ne jemi në këtë gjendje se me ne nuk ka folur asnjë njeri, përveç disa takimeve të sforcuara te ASHK dhe Ministria e Infrastrukturës, me sekretaren e ministres, ndërsa me ministren, kryetarin e bashkisë dhe Kryeministrin, nuk kemi pasur takim.
Ne flasim dhe përballë kemi një zbrazëti dhe nuk na kthehet përgjigje. Kjo është vepër e bashkisë, por financohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Ne kemi filluar ndërtimet që nga viti 1994 e mbas. Këtu nuk ka tokë të zënë, është e blerë, diku me certifikatë pronësie, diku me noteri.
Të gjithë që jemi këtu, kemi dashur të blejmë tokën përballë nesh që është lënë e lirë, se është tokë më e mirë. Na është thënë nga pronarët nuk e shesim se aty është gjurma e Unazës së Madhe.
Kishte më pak kosto për ndërtim, por pronari thoshte jo. Banorët kanë shkuar tek bashkia asokohe, kanë pyetur dhe urbanistët e bashkisë kanë piketuar se ku mund të ndërtojnë, duke shmangur hapësirën e duhur.
Nuk ka tokë të zënë në Kodrën e Priftit, të gjithë e kanë blerë. Në vitet 2005-2006 nuk ka ardhur përgjigje nga ALUIZNI se ka projekt rruge.
Në një VKM e vitit 2009 na kanë dalë emrat se njihemi pronarë trualli dhe banese. Ndryshimin e morëm vesh në fushatën e deputetes së asaj kohe Lindita Nikollës, e cila ka ardhur dhe na ka thënë se këtu tek ju ka ndodhur një devijim, do na votoni ne dhe do e kthejmë në vend.
Devijimi është bërë në vitin 2012 nga Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi. Bashkia ka kërkuar të jetë autostradë me rrugë dytësore anash dhe me distancë.
Projekti u mbajt i fshehtë deri në zgjedhjet e vitit 2021. Si përgjigje kemi marrë se rrugët në standarde ndërkombëtare, bëhen me hark.
Por rruga vjen komplet e drejtë sipas projektit të Adil Çarçanit nuk prekte ndërtesat, por më tej është ndryshuar.
Kam bërë debat me kreun e ARRSH, Ervis Berberi, dhe ideja e tij është se nuk bashkohet loti 4 me lotin e 5 dhe prandaj është bërë me hark.
Thembra e Akilit dhe gjithë dallaverja është tek ARRSH. Deri tani nuk dihet kush qëndron pas devijimit, por spuntot që të bëjnë të dyshosh është se kemi vajtur në komisariat kur kanë filluar matjet vjet në tetor dhe kemi denoncuar se punonjësit ishin pa dokument identifikimi dhe numra pune.
Ne dyshojmë se kur kemi diskutuar dhe me pushtetin, si ndërlidhës që jam për hallet e komunitetit dhe kur kemi diskutuar toka bosh mund të ketë pronarë dhe kjo që kemi blerë ka pronarë dhe ndërtesa sipër.
Ne na thanë në komisariat, ju përpiquni por na thanë se do e keni shumë të vështirë. Ne nuk mund ta kemi të vështirë me një tokë djerrë! Dikush është mbas.



