
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, i propozon presidentit shkarkimin e Komandantit të Forcës Detare,Ylber Dogjani. Vendimi vjen pas përfundimit të një hetimi administrativ lidhur me ngjarjen e disa javëve më parë në depon e municionit në bazën detare të Pashalimanit.
Hetimi i drejtuar nga Shtabi i Përgjithshëm i FA ngarkon me përgjegjësi të gjithë linjën e drejtim-komandimit në Forcën Detare dhe Bazën e Pashalimanit. Në bazë të hetimit, përgjegjësia për masat e sigurisë në bazën detare, i ngarkohet komandantit të Forcës Detare, komandantit të bazës dhe të gjithë linjës së komandimit.
Ministrja e Mbrojtjes me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjithshme ka shkarkuar 15 ushtarakë përgjegjës në drejtim-komandimin dhe çështjet e sigurisë dhe ruajtjes në Forcën Detare dhe Bazën e Pashalimanit.
Vjedhja në bazën ushtarake në Pashaliman u bë publike më 11 janar. Disa armë dhe granata u konstatua se ishin vjedhur nga depoja e armëve gjatë natës. Vjedhja ka ndodhur gjatë kohës kur oficeri roje nuk ka qenë në vendin e punës.



