
Me çadra në duar për shkak të shiut, qindra malazezë protestuan mbrëmjen e së premtes në Podgoricë pranë ndërtesës së Qeverisë.
Ata kërkojnë mbajtjen e përgjegjësisë nga autoritetet për sigurinë në vend pas masakrës në Cetinjë me 12 të vdekur.
Protestuesit mbajtën disa minuta heshtje në shenjë nderimi për të vdekurit, vendosën më pas 12 trëndafila në gardhin mbrojtës metalik përreth selisë së Qeverisë në Podgoricë, duke simbolizuar numrin e të vrarëve, ndërsa kërkuan më pas dorëheqjen e ministrit të Brendshëm.
Aço Martinoviç vrau dymbëdhjetë njerëz, përfshirë dy fëmijë, dhe plagosi katër të tjerë më 1 janar. Disa orë më vonë ai kreu vetëvrasje. Dy djem të moshës 8 dhe 13-vjeçare ishin në mesin e viktimave.
Nëpër çdo qytet të Malit të Zi qytetarët kanë protestuar për këtë ngjarje të rëndë. Vrasja në Cetinjë ishte e dyta e shumëfishtë në këtë qytet në dy vjetët e fundit.



