Avokati Kujtim Cakrani komenton vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila pranoi kërkesën e gazetarit Elton Qyno, duke shfuqizuar vendimet gjyqësore për sekuestron e të dhënave të tij kompjuterike.
Sipas vendimit, urdhri për zbulimin e burimeve të gazetarit ka qenë në kundërshtim me parimet themelore të lirisë së shtypit dhe në këtë drejtim Cakrani e quan goditje të madhe që iu dha SPAK.
Duke folur për “MCN Live”, ai deklaroi se Prokuroria e Posaçme bëri inkuizicion ndaj gazetarit Qyno.
Në vijim shtoi se SPAK nuk është një prokurori serioze por se është marrë me thashetheme dhe vazhdon të merret me thashetheme.

Ishte një goditje e madhe që iu dha SPAK, një prokurori që bën inkuizicion.
Për rastin e gazetarit Qyno ishte inkuizicion se gjykata e dinte shumë mirë se kur SPAK i kishte kërkuar mjetet e punës ishte shkelje e rëndë.
Ishte një goditje e madhe që iu bë Altin Dumanit dhe stafit të tij që të mos guxojnë herë tjetër të intimidojnë në këto forma dhe t'i marrin gazetarëve mjetet e punëve.
Madje dhe ai vetë u mbajt për disa orë nga Prokuroria e Posaçme dhe në mënyrë barbare u shoqërua nga BKH.
Kjo ka ndodhur vetëm në kohën e Koci Xoxes kur janë vrarë dhe pushkatuar gazetarë.
Kjo ishte një fitore e madhe për gjithë sektorin e gazetarëve sepse iu dha e drejta që të mbledhin informacione dhe ta publikojnë.
Ishte fitore tjetër pas Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i çliroi gazetarë nga burimi i informacionit dhe qytetarët janë të sigurt se informacioni që do marrin do jetë më korrekt.
SPAK i ka nxjerrë vetë informacionet, nuk i kanë nxjerrë gazetarët. Prokuroria e Posaçme duhet të mbajë përgjegjësi për informacionet që dalin.
SPAK duhet të mbledhë veten dhe të krijojë një hermetizim në nxjerrjen e informacionit dhe mos t’ua japë gazetarëve që kanë në rrethin e tyre shoqëror.
Nxjerrja e informacionit nuk dëmton vetëm hetimin, por edhe imazhin e atyre që hetohen.
Vendimi i Kushtetueses tregoi se ata prokurorë të SPAK, duhet të lënë mandatet e tyre 9-vjeçare dhe t’ua lënë radhën prokurorëve të tjerë.
Mënyra që ndjek SPAK ndaj personave për hetime të ndryshme është mënyrë inkuizitore.
Është e papranueshme që prokurorja e SPAK të marrë në telefon qytetaren dhe t’i thotë ose do paraqitesh në SPAK, ose do të marrë për flokësh.
Është qasje arrogante e prokurorëve. Njerëzit edhe pse mund të jenë të fajshëm, duhet të hetohen sipas shtetit të së drejtës.
Prokurorët tanë përveçse nuk janë profesionistë janë dhe arrogantë, në mënyrën e ndjekjes penale.



