
Mbi 160 delegacione zyrtare janë konfirmuar që do të marrin pjesë sot në mëngjes në orën 10:00 në varrimin e Papa Françeskut në sheshin e Shën Pjetrit. Ata do të ulen të gjithë në shkallët e Vatikanit, në të djathtë të altarit, duke parë fasadën e bazilikës.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, presidenti francez Emmanuel Macron, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe kancelari Olaf Scholz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti Sergio Mattarella, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, princi William, mbreti Felipe VI i Spanjës dhe mbretëresha Letizia si dhe presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen kanë konfirmuar të gjithë pjesëmarrjen e tyre në funeral.

Udhëheqës të tjerë dhe anëtarë të familjeve mbretërore që do të marrin pjesë në funeralin e papa Françeskut janë edhe presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, presidenti argjentinas, Javier Gerardo Milei, presidenti ekuadorian, Daniel Noboa, presidenti filipinas Ferdinand Marcos Jr., presidenti polak Andrzej Duda, kryeministri irlandez Micheal Martin, presidenti kroat Zoran Milanoviq, presidentja moldave Maia Sandu, mbreti belg Philippe dhe mbretëresha Mathilde, princi i Kurorës i Norvegjisë Haakon dhe princesha e Kurorës Mette-Mar.
Edhe përfaqësues nga Shqipëria do të marrin pjesë në ceremoninë mortore për Papa Françeskun. Delegacioni shqiptar përfshin presidentin Bajram Begaj me bashkëshorten e tij, ministri i Jashtëm Igli Hasani, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit, Adea Pirdeni, si edhe ambasadorja e Shqipërisë në Vatikan, Adea Pirdenji.
Po ashtu, të marrin pjesë edhe krerët fetarë në Shqipëri: Kreu i Kishës Katolike, Arjan Dodaj, Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, Kryegjyshi i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Kryepeshkopi i Ortodoksëve, Joani.
Nga Kosova merr pjesë dhe presidentja Vjosa Osmani, e cila një ditë më parë u shfaq në homazhe bashkë me delegacionin shqiptar dhe kardinalin Ernest Troshani.
Rreth 4.000 gra dhe burra nga forcat e policisë janë angazhuar për mbarëvajtjen e sigurisë, përfshirë 4.000 vullnetarëve nga Mbrojtja Civile.
Procesioni i varrimit të Papës, i përbërë nga disa makina me disa kardinalë dhe disa të afërm, do të vazhdojë në këmbë për t’i lejuar të gjithë të thonë lamtumirën e fundit.
Më shumë se 250.000 njerëz hynë në Shën Pjetrin për t’i bërë nderimet e fundit Papës gjatë tre ditëve në të cilat trupi i tij u ekspozua në bazilikë, përpara ceremonisë së mbylljes së arkivolit të premten në mbrëmje.
Udhëheqësi i Kishës Katolike u lind në Buenos Aires më 17 dhjetor 1936 nga prindër emigrantë italianë.
Ai studioi në Argjentinë dhe më vonë në Gjermani përpara se të shugurohej si prift jezuit në vitin 1969.
Pas më shumë se një dekade në papatin e tij, papa Françesku mbeti një figurë e admiruar, por edhe polemike.
Ai kërkoi të reformonte burokracinë e Vatikanit, të luftonte korrupsionin dhe të adresonte disa nga sfidat më urgjente të kishës.
Papa u shtrua në një spital në Romë në shkurt me bronkit, i cili u zhvillua në pneumoni bilaterale.
Ai doli pas 38 ditësh për të vazhduar shërimin e tij në rezidencën në Vatikan.
Papa Françesku vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare.



