
Ka vijuar edhe këtë të diel protesta e banorëve të Bërxullës, që preken nga projekti Thumanë-Kashar, të cilët kërkojnë shpronësimin e pronave të tyre sipas çmimeve të tregut. Ditën e sotme banorët bllokuan rrugën e Rinasit dhe u përplasën me policinë. Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN Tv kryeplaku i fshatit Bërxullë, Muharrem Koni tha se shteti nuk po bëhet i gjallë.
Siç jeni edhe ju dëshmitarë shteti nuk bëhet i gjallë. Për ne është i vdekur. Në ditën e 120 të protestës nuk na ka dhënë absolutisht asnjë përgjigje për kërkesat tona që i kemi parashtruar. Këto kërkesa janë plotësisht të ligjshme. Vlera e pronës sipas çmimeve të tregut, vlera e pronës së banesave, dhe projekti si do zhvillohet kjo rrugë, sepse deri sot që rruga ka zhvilluar 70 për qind të lotit të parë nuk ka projekt. Sipas intervistës që ju i kenë bërë drejtorit të ARRSH-së, pasi e kam dëgjuar z.Berberi, ai bie në kundërshtim dhe kundërshton vetveten. Ose s’është drejtor, ose s’është i informuar, ose fol në ajër.
Ligji e përcakton qartë, autoriteti thotë që bën shpronësimet duhet t’i drejtohet zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme duke marrë një çmim të tre muajve paraardhëse sa është shitur një pronë. Zyra duhet t’i përgjigjet me shkrim brenda 5 ditëve. Sipas dokumenteve që unë kam, unë e kam marrë përgjigjen dhe thuhet se në 31/10/2022 një pronari x ka shitur një sipërfaqe toke me 50 euro metër/katror. Këto zotërinjtë nuk kërkojnë ligjin për ta zbatuar. Ky është çmimi i referencës për tre muajit e fundit.
Nuk kemi asnjë lloj kontakti, vjen tek tuk ndonjë individ, por jo që të jetë në tagrin e përfaqësuesit. Thonë na jepni leje të bëjmë punime se rregullohemi. Nuk ka marrëveshje individuale, por kolektive. Janë 97 banorë që preken në prona, 22 që preken në banesa. Kërkojmë vetëm zbatimin e ligjit, asnjë privilegj tjetër”.
Ndërkaq, një tjetër banorë tha:
I kemi zbatuar të gjitha marrëveshjet dhe ajo firmë, e kemi kapur që ditët e para pa leje zhvillimi, pa leje ndërtimi. Unë prekem 1 dynym e gjysmë tokë dhe shtëpi trekatëshe”.



