Teologu Justinian Topulli komentoi në studion e MCN TV ngjarjen e një dite më parë në Orosh të Mirditës, ku një operacion 12-orësh i Forcave Speciale RENEA përfundoi me arrestimin e dy personave të dyshuar për lidhje me terrorizmin.
Topulli tha se nuk ka prova të qarta që i lidhin dy të arrestuarit me ISIS-in.
Ai theksoi se radikalizimi ndodh kryesisht te individë me arsimim të pakët, probleme ekonomike dhe familjare.
Topulli theksoi se ekstremizimi i këtyre individëve ndodh jashtë xhamive.
Janë njerëz me precedentë penalë. Nuk di të them si qëndron problemi, por besoj se hetimet që do të bëjë prokuroria do të nxjerrin në pah se çfarë ishin këta njerëz.
Këta persona, edhe pse mund të jenë besimtarë dhe vijnë falen në xhami, janë të izoluar dhe nuk komunikojnë me njeri tjetër. Mund të jenë ekstremizuar përmes rrjeteve sociale. Të dy janë ish-katolikë të konvertuar në myslimanë. Janë njerëz me probleme familjare që për shkak të mosformimit të duhur bien pre e radikalizimit. Këta duhet të jenë një rast i izoluar, të dëshpëruar. Duhet të kemi parasysh se ISIS tani është në një gjendje jovitale. Këta njerëz më precedentë penalë duhet të jenë të ndikuar nga rrjetet sociale, kam parasysh këtu edhe flamurin që kanë përdorur, i cili nuk është as flamur i ISIS-it.
Mund të ketë njerëz të prirur për t’u radikalizuar, por ata janë të tërhequr dhe të izoluar. Janë të fjetur dhe nuk ndihen, por ajo që konstatoj unë është se një ndikim i tillë ka rënë dukshëm. Aty ku ka qetësi, nuk ka më luftëra, ndikimi i tyre është i dobët. Në xhami nuk ka njerëz të tillë. Nëse ata tentojnë të rekrutojnë, përpiqen ta bëjnë jashtë xhamisë.
Shpesh herë pjesa më e madhe e atyre që bien në këto ujëra nuk kanë njohuri të mjaftueshme. Kanë formim të ulët intelektual, janë njerëz me precedentë penalë apo kanë probleme vetjake. Pra, bien pre e një propagande që bëhet. P.sh. marrim atë që po ndodh në Gaza. Duke parë atë që po ndodh atje, një njeri i tillë mund të ekstremizohet lehtë.



