Kreu i shoqatës së Hoteleri-Turizmit Zak Topuzi duke folur në MCN Live për turizmin theksoi se duhej një vëmendje më e madhe për shqiptarët e Kosovës, dhe Korridori i Veriut do të duhej të shpallej emergjencë kombëtare. Topuzi vuri në dukje se duhet një shkundje e industrisë për ta bërë të plotë paketën. Ai shtoi se një turist i huaj nuk mund ta konceptojë mungesën e transportit publik, orareve, dhe pamundësinë për të vendosur një çadër në një plazh publik. Topuzi tha që duhet një organizim i ri dhe të çlirohet bregdeti nga zënia me çadra, pasi është një terror për pushuesit.

"Pak a shumë 6-mujor ka qenë një bilanc pozitiv lëvizjesh. Sistemi TIMS nuk jep numrin e turistëve, janë të tjera të dhëna. Na rezulton se kjo lëvizje ka qenë më shumë ekuacione të panjohura. Si rezultat të çmimeve low cost të aeroportit, ka pasur një lëvizje shumë të madhe të turistëve kryesisht në Tiranë-Durrës, dhe ka pasur mangësi në pjesën bregdetare. Lëvizjet kanë qenë jo vetëm të gjeneratës Z, por edhe grupe të turistëve me fëmijë apo familje, por kjo s’jep një informacion të saktë për të ardhurat, pasi një pjesë e tyre kanë preferuar apartamentet me qira dhe hotelet.
Kemi më pak turistë që janë akomoduar në hotele edhe resorte të certifikuar. Kemi më shumë lëvizje në apartamente për të ulur kostot e shërbimit të paketës shqiptare. Alarmi u dha javën e parë të korrikut. Komunikuam me hotelet, nuk është çështje çmimi tamam tamam, sepse rajoni i ka rritur çmimet më shumë se ne. E para dihej që Kosova do lëvizte nëpër rajon, nëpër Europë. Ky vit do jetë një vit i çorientuar për turizmin. Ka edhe një imazh të gabuar që u përgatitëm për 40 për qind më shumë turistë, por ky numër s’është i saktë, pasi ka lëvizje të turistëve nëpër Shqipëri, që e shfrytëzojnë si vend tranzit. Paketa e Shqipërisë del e shtrenjtë sepse ka një sezonalitet të shkurtër. Në dy muaj duam të përfitojmë të ardhurat e gjithë vitit. Paketa shqiptare del e shtrenjtë për shkak të mungesës së një transporti publik të lirë.
Të duash 100 euro apo 200 euro të shkosh në vijën bregdetare, i huaji s’e koncepton dot. S’e koncepton lëvizjen pa orare, bileta që s’priten dot online, është një nga shqetësimet kryesore që ne kemi ndjerë të vet turistët, dhe trafiku i ngarkuar që Shqipëria e ka të zakonshme. Pavarësisht se kemi 27 për qind lëvizje më shumë nga Kosova në Shqipëri dhe na mungojnë 30 për qind e turistëve nga Kosova, që është përdorur Shqipëria si tranzit. Kosova duke qenë se ishte 50 për qind e turistëve, donte një vëmendje të veçantë. Korridori i Veriut duhet të shpallur emergjencë kombëtare. Ne na mungojnë kapacitet akomoduese, ato që lidhet me resortet dhe hotelet e mëdha, që kanë paketa të plota. Ne duhet të marrim masa që kategoria e shqiptarëve të Kosovës që lë të ardhura, t’i shfrytëzojë në Shqipëri dhe mos kalojë jashtë.
Duhet një shkundje e gjithë industrisë për ta bërë të plotë paketën. Zënia e gati 90 për qind e vijës bregdetare ka qenë një sinjal negativ. Ku s’të lënë as ujin e fëmijës ta blesh aty, përveç që e paguan çadrën. Të huajit s’mund ta konceptojnë që të vësh çadrën tënde, dhe shumica e kalojnë kohën si nomadë. I propozuam ministrisë që të kishte një raport më komod të zënies së bregdetit. Janë lënë cepa anësore, ku duhet të ecësh 1-2 km për të vënë një çadër. Kjo s’është normale dhe rrit paketën e turistit. Duhet organizim i ri dhe të çlirohet nga zënia me çadra, pasi është një terror që u bëhet banorëve”.



