
Pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë, të cilat lidhin Kosovën me Serbinë, që nga dita e shtuna janë liruar për qarkullim, pas largimit të barrikadave të vendosura nga serbët lokalë dhe largimit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Pas më shumë se 13 ditë bllokade këto dy pika kufitare u liruan, pas marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes palës kosovare dhe asaj serbe.
Të shtunën filloi edhe zbatimi i pikës së parë të kësaj marrëveshje, e parasheh largimin e protestuesve serbë, si dhe zëvendësimin e njësive speciale me trupat e KFOR-it në pikat kufitare në veri.
Ndërsa pika e dytë, do të nisë së zbatuari nga sot (4 tetor 2021), ku do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës përmes ngjitëseve.
Pika e tretë parasheh që më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të BE-së, Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje të përhershme.
Shefi i Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnas Wigemark, ka bërë të ditur se në Veri të Kosovës situata është e qetë, ndërsa lajmëroi edhe nisjen e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel për afishet ngjitëse, e cila do të fillojë nga dita e sotme.
“EULEX vazhdon të patrollojë dhe të vëzhgojë situatën në Kosovën veriore së bashku me forcat e KFOR-it të NATO-s dhe sipas kërkesës së Policisë së Kosovës. Situata është e qëndrueshme dhe regjimi i ri i afisheve ngjitëse do të nis më 4 tetor, nga të dyja palët”, shkroi ai në Twitter.



