
“Një djalë guximtar dhe që sakrifikonte veten për të tjerët”. Kështu e përshkruan në një intervistë për MCN, Naim Sala, nipin e tij, Arjanin, i cili hyri mes flakëve, për të shpëtuar mbi 20 kolegët e tij që ndodheshin në magazinën e qendrës tregtare ku ishte përgjegjës sigurie.
Arjani e tregoi veten se çfarë njeriu ishte. Atë punë që merrte do ta çonte deri në fund. Njeri që ka punuar në disa punë dhe në të gjithë ishin të kënaqur.
Nuk ishin as minuta dhe as orë, por ditë të tëra, që xhaxhai dhe familjarë të Arjanit, u desh jetonin nën ankthin e mosgjetjes së trupit të të riut, mbetur në magazinën e qendrës tregtare.
Si ai atje, si ne mbi tokë, të njëjtën gjë kemi përjetuar. Flakë nga jashtë, flakë edhe brenda. Është dhimbje për ne që e qajmë, por edhe gëzim që Arjani nuk la të qajnë edhe shumë nëna të tjera.
Naim Sala, rrefen se vështirësia më e madhe për familjen, përballja me pyetjen e përditshme të djalit 4-vjeçar të Arjanit, se ku është i ati.
Teksa MCN ishte në shtëpinë e Arjan Salës, për t’iu gjendur pranë familjes erdhi edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Teksa e cilësoi heroik, aktin e Arjan Salës për shpëtimin e kolegëve të tij, Berisha fajësoi strukturat shtetërore për vonesë në ndërhyrjen nga ana e forcave zjarrfikëse.
Shërbimi i emergjencës është fiktiv, pothuajse inekzistent. Kjo këtu nuk mund të ishte përjashtim. Është fatkeqësi e veçantë. Akti i Arjanit është epik. Zgjodhi të flijojë veten për të shpëtuar ata që ky i kishte në mbrojtje. Nuk ka akt më të madh njerëzor.
33-vjeçari Arjan Salaj u shpall “Dëshmor i atdheut” për aktin e shpëtimit të mbi 20 kolegëve, të cilëve iu rrezikua jeta pas zjarrit që ra në magazinën e një qendre tregtare në kryeqytet, pasditen e 24 marsit.



