Dy sulme me armë zjarri në dy xhami u kanë marrë jetën 49 personave në Zelandën e Re dhe kanë lënë të plagosur 20 të tjerë. Sulmet me karakter terrorist u kryen në dy xhami të qytetit Kristçërç, në orarin kur besimtarët po faleshin. 41 prej tyre u vranë në xhaminë Al Nur, 7 të tjerë në xhaminë e lagjes Linvud, ndërsa një tjetër vdiq në spital për shkak të plagëve të rënda. Mes viktimave ka edhe fëmijë.
Autori i sulmeve është 28-vjeçar australian, që dëshmitarët e kanë përshkruar si i racës së bardhë, bjond, që mbante një jelek antiplumb dhe një helmetë në kokë.
Ajo që e bën akoma më të rëndë masakrën është fakti se gjithçka ka ndodhur sipas një plani të menduar në detaje, ndërsa e gjithë dinamika u përcoll live në Facebook nga autori në një profil me emrin Brenton Tarrant. 28-vjeçari gjatë këtij transmetimi prej 17 minutash në rrjetin social ka zbuluar një manifest prej 74 faqesh, ku ka përmendur si motivim genocidin e bardhë, një term që e përdorin grupet raciste kur u referohen emigrantëve dhe rritjes së popullatave minoritare.
Në manifestin e publikuar në internet, Tarrant thotë shpjegon se i ka planifikuar sulmet prej dy vitesh, por vendin se ku do të kryheshin e ka përcaktuar vetëm 3 muaj më parë. Ai thotë se nuk është pjesë e asnjë organizate terroriste, por ka bashkëvepruar dhe ka dhuruar fonde për grupe nacionaliste. Zgjedhja e Zelandës së Re për sulme të tilla, sipas tij, është bërë për shkak të pozicionit të saj gjeografik, me qëllimin për t’u bindur njerëzit se edhe vendet më të largëta të botës janë prekur nga fenomeni i emigracionit masiv.
Në manifest, ai përsërit se është e domosdoshme "të mbrohet raca e bardhë" dhe iu referohet emigrantëve si "pushtuesit" që kanë shkaktuar "qindra mijëra vdekje". Ai thotë se sulmet në xhami janë një hakmarrje për sulmet terroriste islamike në Evropë.
Tarrant pretendon se ka lexuar "shkrimet" e Dylann Roof, autori i masakrës së Çarlestonit më 17 qershor 2015 dhe përmend si frymëzim vrasësin e Utojas, Anders Behring Breivik, i cili ekzektuoi 77 persona në Norvegji në vitin 2011.
Menjëherë pas sulmeve, policia arrestoi autorin dhe çaktivizoi disa mekanizma shpërthyes, të cilët u gjetën në disa makina jashtë xhamive.
Kryeministrja Jacinda Adern është shprehur se kjo është një situatë e paprecedent në Zealndën e Re dhe një nga ditët më të errëta për vendin. Ajo ka konfirmuar numrin e viktimave dhe faktin se bëhet fjalë për një sulm të mirëfilltë terrorist.



