Sipas të dhënave të fundit të Eurostat rreth 42 për qind e popullsisë në Shqipëri është në rrezik për të qenë e varfër.
Duke komentuar shifrat në edicionin e lajmeve në MCN TV Dorian Teliti, Koordinator i programit ekonomik në PD tha që ekonomia shqiptare është një “pacient i sëmurë” që nuk po kurohet, por po përkqësohet.
Ai theksoi se Shqipëria s’ka më një ekonomi prodhuese, ndërsa u shpreh se modelet ekonomike s’duhet të jenë politike, por në bazë të nevojave të tregut. Teliti po ashtu vuri në dukje se niveli i lartë i varfërisë rrit informalitetin dhe evazionin.
“Kemi përqendrim të vlerës së shtuar, në vend të shpërndahet. Ndonëse kemi rritje ekonomike 3-4 për qind, vazhdojmë me të njëjtat shifra, edhe vitin e kaluar varfëria ishte 42 për qind. Është një ekonomi që s’po kuron veten e vet. Sa më shumë kalon koha, praktikisht është përkeqësuar. Sa më i lartë niveli i varfërisë aq më shumë inçentivohet ekonomia informale dhe evazioni.
Duke qenë edhe thjesht konsumator nuk ndërgjegjësohen. S’gjen një vend i cili është i zhvilluar, që e ka hendekun mes të pasurve dhe të varfërve në norma të lejueshme, që të ketë evazion të lartë. Ky nivel i lartë varfërie do shoqërohet më norma të larta informaliteti. Kushtet në punë, pagat, niveli i pagave.
Modeli ekonomik është model i dështuar nëse njerëzit s’duan të jetojnë në Shqipëri. Nëse shqiptarët janë më të shtyrë se ukrainasit për të lënë vendin e tyre, jemi në situatë alarmante. Fakti që renditemi të fundit në rajon sa i përket dëshirës për të jetuar në Shqipëri, tregon që modeli aktual i të bërit të punëve në Shqipëri është i gabuar, nuk funksionon.
Nuk kemi një ekonomi të ngjashme me tonën. Ekonomia shqiptare është pacient i sëmurë, hajde të marrim tani dozat e ilaçeve. Modelet s’duhet të jenë politike, por modele që hartohen në bazë të nevojave që ka tregu. Propaganda mbaroi me fushatën elektorale, por varfëria është këtu midis nesh. Pikësëpari duhet t’i kthehemi prodhimit. Ne s’kemi më një ekonomi prodhuese.
Dy sektorët, industria prodhuese dhe bujqësia, janë në recesion. Kemi një problematikë të prodhimit në Shqipëri. Pastaj patjetër duhet të zvogëlojmë hendekun e nivelit të pagave, por i vendos tregu sipas produktivitetit. Ne sot jemi vendi me taksat më të larta në rajon sa i përket punësimit”.



