Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj duke komentuar në “Mcn Economy” rastin e filetove me salmonelë tha që në Shqipëri ka dështuar gjithë sistemi i kontrollit ushqimor.
Nunaj vë në dukje se kemi edhe një mungesë të ndërgjegjësimit profesional të individit, sa i takon kontrollorëve në Shqipëri.
Sipas Nunajt shkrirja e AKu-së është thjesht një lëvizje në aspektin menaxheral, por jo në aspektin e identifikimit të problemit.
“Në vitet e fundit në Itali s’ka pasur në këto nivele, por nëse do ndodhte do kishte dorëheqje në nivel të lartë administrativ, dhe e dyta s’do kishim vetëm një bllokim të mallit, por çështja do kalonte për procedim penal. Siguria ushqimore në Itali është e organizuar në tre nivele, nivel lokal, rajonal dhe qendror. S’është e centralizuar.
Ka edhe një ndërgjegjësim profesional të individëve. Në Shqipëri ka dështuar gjithë sistemi i kontrollit ushqimor. Salmonela bëri tymnajën më të madhe por problematika me ushqimin kemi pasur në mënyrë të vazhdueshme. I gjithë ndryshimi, nëse do shkrihet apo jo AKU e shoh më tepër në aspektin menaxherial, si do organizohet sistemi i kontrollit, por nuk e shoh në aspektin e identifikimit të problemit.
Rivendosja e sistemit të kontrollit në sistem inspektoriatesh, është thjesht çështje menaxherale. Nëse unë nuk identifikoj shkakun që e solli salmonelën, nuk e kam zgjidhur problemin. Dështimi i sistemit është edhe mungesë e ndërgjegjësimit profesional të individit. Nuk mund të ndodhë këtu që një kontrollor të shkojë, ta gjejë të mbyllur, dhe të bëj sehir, sepse ai produkt do t’i vijë në tryezën e tij”.



