Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos e shqyrtojë kërkesën e 28 deputetëve të Partisë Demokratike për mos ngritjen e Komisionit Hetimor të Investimeve strategjike.
Sipas Gjykatës Kushtetuese kërkesa duhet të ishte dërguar nga 35 deputetët që kanë firmosur për ngritjen e Komisionit Hetimor dhe jo 28.
PD-ja e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese në korrik 2022 pasi Kuvendi refuzoi krijimin e një komisioni për Investimet Strategjike.
Në lidhje me këtë vendim ka reaguar dhe deputeti Gazment Bardhi e cilësoi vendimin një akt të paprecendentë, duke u shprehur se të ndryshosh objektin e kërkesës dhe të shprehesh për një kërkesë që nuk është paraqitur është lajthitje.
Guximi i Gjykatës Kushtetuese për të ndryshuar objektin e kërkesës së 1/5 së deputetëve mund të shpjegohet vetëm me errësimin e syve nga oligarkët e investimeve strategjike. Është akt i paprecedent vendimi i sotëm i GJK që nuk shprehet për kërkesën e paraqitur, por supozon për ekzistencën e një kërkese që nuk është paraqitur.
Në GJK nuk është paraqitur asnjë kërkesë për zgjidhje të mosmarrëveshjes së kompetencave mes pakicës dhe shumicës. 1/5 e deputetëve kanë të drejtë të kërkojnë interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe kanë paraqitur këtë kërkesë.
Të ndryshosh objektin e kërkesës dhe të shprehesh për një kërkesë që nuk është paraqitur është lajthitje. Kush i detyrojë anëtarët e GJK të lajthisin për llogari të oligarkëve?!



