Olgert Haxhi jeton prej 16 vitesh në Luca të Italisë. Olgerti punon si shofer i transportit publik për fëmijë, por jo vetëm. Në datën 9 mars ai dhe babai i tij rezultuan pozitiv me Covid-19. Olgerti, është infektuar nga shefi i tij, i cili ka qenë dhe pacienti zero në atë zonë, i cili për fat të keq ka ndërruar jetë. Olgerti së bashku me babain e tij tashmë janë mirë dhe jetojnë të izoluar në shtëpi të ndryshme.
Ju dhe babai i juaj u infektuat me Covid-19. Kush i shfaqi i pari simptomat dhe cilat ishin ato?
Babai i shfaqi i pari simptomat, në fillim pati temperaturë për 5-6 dite, humbje oreksi, të vjella. Kurse unë temperaturë, lodhje dhe probleme me frymëmarjen.
Babai juaj si ndihet tani?
Babai tani është mirë. Kaloi ditë të vështira, por shërbimi në spital ishte i mirë. Tani jemi mirë, nuk kemi më simptoma shyqyr.
Po anëtarë të tjerë të familjes janë prekur?
Jo, nusja për fat të mirë shpëtoi.
Vazhdoni të izoluar me familjen apo veçmas?
Vazhdojmë të jemi të izoluar në shtëpi të ndryshme.
Çfarë pune bëni ju në Itali?
Unë jam shofer publik.
Kur keni shpresë se e gjithë kjo do mbaroi?
Them se pjesërisht mbas dy muajsh do fillojë pak jeta e përditshme, ndërsa plotësisht duhet pritur korriku- gushti.
Emocionalisht si ndiheni sepse u prekët në mënyrë direkte nga kjo pandemi?
Përveç ditëve të vështira shëndetësore pjesën tjetër e kam marrë me positivitet, kam kohë më shumë për vehten, pa rregulla pa orare. Merrem me aktivitet fizik, lidhje në internet me miq dhe shokë etj..
Po për momentin si e përballoni jetesën në mungesë të punës?
Për anën ekonomike nuk e kemi ndjerë shumë, sepse rroga vazhdon, përveç këtyre dy shtëpive plus që kam marrë me qera për vetkarantinë, që normal duhen paguar.
Një mesazh për të gjithë shqiptarët?
Mesazhi është që duhet të eliminojmë daljet jashtë pa motive të rëndësishme, kështu në këtë mënyrë do shpejtohet dhe zhdukja e sëmundjes nga qarkullimi. Maska dhe doreza deri sa të zhduket. Nga ana tjetër them dhe se sëmundja është e rrezikshme, por dhe e kalueshme nëse e ke kapur në kohë./Intervistoi: Lisana Subashi/



