
President i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një postimi në rrjete sociale ka reaguar lidhur me vrasjen e biznesmenit Demir Backa në Fier dhe grabitjen e biznesmenit Nazmi Cangu në Krujë.
“Dënoj me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, vrasjen e biznesmenit Backa në qendër të Fierit, si dhe grabitjen dhe torturimin e biznesmenit Çangu në Nikël të Krujës. Këto ngjarje, që kanë tronditur thellë opinionin publik, përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, por edhe për zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit”, shkruan presidenti.
Meta i kërkon Policisë dhe Prokurorisë që të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e menjëhershëm të autorëve.
“I bëj thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend, të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e menjëhershëm të autorëve me rrezikshmëri të lartë dhe vënien e tyre para drejtësisë, por edhe për të marrë të gjitha masat efektive për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda dhe tronditëse kriminale.”



