Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiq, thotë se administrata është e mbyllur në raport me kërkesën e të rinjve për punësim. Në studion e MCN, Radonshiq tha se mungesa e meritokracisë është një tjetër problem në administratë.

Edhe pse administrata ka nevojë për punonjës, ka diçka që nuk shkon me punësimin. Studentë të mi, me rezultate të shkëlqyera, nuk janë pranuar. Të rinjtë sot nuk duan më të punojnë në sektorin publik edhe pse paga është më e lartë. Ata mendojnë se nëse largohen nga vendi i punës nuk mund të përballen me konkurrencën në sektorin privat.

Ata që nuk janë në administratë nuk kanë shumë akses. Ndërsa e kundërta ndodh me ata që janë në administratë, është shumë më e lehtë të lëvizet në pozicione paralele.

Ka mungesë meritokracie. Ka drejtues që duan një individ të besuar, edhe më të aftë ndoshta, sepse kështu ndihet më i sigurt. Të mos harrojmë që jemi afër zgjedhjeve.

Lidhur me punën në administratë, Radonshiq shtoi se janë të rinjtë ata që riskojnë më shumë pasi punësohen.

Të rinjtë marrin më shumë risk përsipër. Ata që janë më të maturuar, më profesionistë janë më të përgjegjshëm kur firmosin, çfarë firmosin. Kemi parë së fundmi shumë kryetarë bashkish sot nën hetim. Ligji po forcohet.

Ajo theksoi se punësimi i të rinjve është i domosdoshëm, në mënyrë që skema e pensioneve të mbahet në këmbë.

Po e shohim se çfarë po ndodh me skemën e pensioneve. Nuk kemi kontribuues. Tani jemi në fazën që të nisi punësimet me meritë që të rinjtë të mos ikin.