Kreu i PD Sali Berisha foli përmes një lidhjeje live në Facebook nga Kuvendi, pasi drejtuesja e seancës i mohoi të drejtën e fjalës. Berisha tha se kjo mazhorancë diskuton për Evropën me hijen e tmerrshme të djegësave.
Berisha paralajmëroi protesta edhe më të fuqishme se ajo e 12 nëntorit, para Kuvendit.
Këta diskutojnë për Europën me hijen e tmerrshme të djegësave, me hijen e tmerrshme që po përgatisin me portin e Durrësit. Sot me Europën nuk kanë asnjë lidhje. Sot, Taulant Sharra, flet në emër të vasalit të Vuçiçit. E vërteta është se Edi Rama është avokati numër një i Vuçiçit. Të gjitha këto e kanë detyruar opozitën të thërrasë popullin, të flasë në këtë parlament. Ky parlament nuk duhet të ekzistojë më, ky parlament duhet të marrë fund. Ndaj dhe sot, ju garantoj se sot do jetë një ditë në lartësinë e 12 nëntorit, por shumë shpejt ajo datë do të kalohet nga protestat e tjera të fuqishme para parlamentit. Europa dhe bota do marrë vesh, se hajdutët nuk mund të sjellin kurrë stabilitet. Se hajdutët varfërojnë, se hajdutët nuk kanë moral, se hajdutët janë të aftë të kryejnë çdo veprim, çdo krim ndaj popullit të tyre. Këto janë të vërtetat, fikeni sa të doni mikrofonin, por ja që është mrekullia e FB, që më lejon mua dhe çdo deputet të komunikojë me zgjedhësit dhe ndërkombëtarët. Keni frikë nga parlamenti, ja ikën, iku investitorja strategjike”.
(11:00) Sot vendoset mandati i Xhaçkës/ Berisha dhe deputetët e PD bllokojnë foltoren, i rrethon garda
Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë është ndërprerë për 5 minuta, pasi kreu i PD Sali Berisha dhe disa deputetë demokratë bllokuan foltoren.
Berisha kërkoi të drejtën e fjalës, por drejtuesja e seancës Ermonela Felaj, tha se deputetët e Berishës nuk janë pjesë e asnjë grupi parlamentar.
Deputetët demokratë janë rrethuar nga garda, ndërsa drejtuesja e Kuvendit i kërkoi Berishës që të lironte foltoren. Seancën e sotme pritet të votohen raportet e palëve në Këshillin e Mandateve, lidhur me kërkesën për t’i hequr mandatin deputetes Olta Xhaçka.
Deputetët e opozitës kërkuan që të kishte një debat mbi këtë çështje, por kjo nuk është pranuar nga drejtuesja e seancës.



