Analisti Denis Dyrnjaja duke komentuar në MCN Live koalicionin e opozitës tha se kryedemokrati Sali Berisha ka gjetur 26 veta, partia të cilëve ka vetëm një kryetar dhe një shofer.
Duke komentuar përfshirjen e 4 deputetëve të PL te lista e PD, Dyrnjaja vë në dukje se Berisha i ka qëndruar “deal”-eve, duke sjellë në kujtesë që Meta e bëri dikur kryeministër me 4 deputetë, si dhe i dha logon e partisë për t'u futur në zgjedhje.
“Berisha ka gjetur 26 veta, që kanë një shofer, ose jam vetëm. Parti me shofer, kryetari dhe një zyrë. S’e dimë çfarë efekti kanë. Nuk bëjnë as zgjedhje, nuk mblidhen as këshillat drejtues, as s’dimë kush ka qenë rivali brenda. Këta kryetarë rrinë në rang berberësh, se berberët nuk ndërrohen, edhe rrinë 30 vjet kryetar.
Fatmir Mediu ka që kur ka vdekur Sabri Godo që është kryetar partie. Te LSI rokada Meta-Kryemadhi, pati një trazicion të lehtë, të përkohëshëm te Petrit Vasili, që edhe ai e dinte që s’ishte kryetar se raportonte sa te Kryemadhi e Meta. Edhe Dash Shehi që është njeriu më i hapur nga pikëpamja e sensit të demokracisë, s’ka bërë ndonjëherë zgjedhje.
Këta thjesht bëjnë disa pazare, kush të futet në listë, kush të kapë atë vendin aty, që është thjesht peshqesh nga vota bazike e demokratëve. Ky bllok ka ardhur duke u tkurrur, por nxjerr 40-50 deputetë. Plus minus, PD shkon 40-50 deputetë. Kushdo qoftë edhe një dru në listë, do ta votojnë, sepse votojnë Berishën, që është lideri i përjetshëm, i adhuruari i përjetshëm. Bëjnë primaret dhe në fund del edhe thotë, ishin këto primare, por Kryesia do marrë në shqyrtim listën finale. Ju rroftë atyre që dolën!
Vetëm këtë meritë ka Berisha, që nga pikëpamja e deal-eve politike i qëndron. Meta i ka bërë peshqeshin më të madh Berishën, që e bëri kryeministër atëherë kur s’e priste me ato 4 votat e arta. Edhe logon ia dha që u fut në zgjedhje kur ishte pa logo. Edhe ky ia ka bërë, se do ikte në burg ai, i shkoi për darkë një ditë para vendimit të Gjykatës së Lartë. Shpresa Becaj që ishte kryetare e Gjykatës së Lartë e kuptoi mesazhin, 5-0 votimi, Ilir Meta doli i pafajshëm për bllokun”.



