Kryedemokrati Sali Berisha ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku pretendon se Ergys Agasi udhëtonte së bashkë me eskortën e kryeministrit Edi Rama.
Duke cituar të ashtuquajturin “qytetar dixhital”, pretendohet se video është bërë këtë vit në Tiranë.
“Është eksorta e Edi Ramës, ku makina e dytë është makina zyrtare e kryeministrit dhe ndërkohë bashkë me të lëviz edhe Ergys Agasi me makinën e tij private. Makina ‘Ranger Rover’ e 5-ta në radhë, ngjyrë vishnje, është makina e Ergys Agasit me targa GG444 AA dhe makina tjetër pas tij, e fundit në radhë, është makina e rojeve personale të Ergys Agasit po me targë GG 444 AA e modelit Defender”, thuhet në mesazhin e qytetarit dixhital.
Denoncuesi po ashtu pretendon se “Agasi ruhej me roje personale dhe ndërkohë kur takonte Ramën e shoqëronte Policia e Shtetit dhe futej në eksortën e kryeministrit”.



