
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, thotë se të dhënat tregojnë se “ka shumë gjasa” që pas sulmit me agjent nervor ndaj ish-spiunit rus dhe vajzës së tij qëndron Rusia.
Edhe pse Kremlini ka mohuar përfshirjen e Moskës në këtë incident, May tha gjatë fjalimit në Parlament, se ose shteti rus ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë në helmimin e 66-vjeçarit, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në qytetin Salisbury, ose ka lejuar që agjenti nervor të bjerë në duart e të tjerëve, të cilët kanë kryer sulmin.
Duke pasur parasysh historinë e “Rusisë në kryerjen e vrasjeve të sponsorizuara nga shteti dhe vlerësimin tonë se Rusia i sheh disa nga prej atyre që i konsideron “tradhtarë” si shënjestër legjitime për vrasje, qeveria ka ardhur në përfundim se ka shumë gjasa që Rusia është përgjegjëse për sulmin ndaj Sergei dhe Yulia Skripal”, u ka thënë May ligjvënësve, pas takimit të Këshillit për Siguri Kombëtare.
“Ne nuk do të tolerojmë përpjekje të tilla për të vrarë civilë të pafajshëm në tokën tonë”, ka shtuar ajo.
Ajo ka shtuar se ambasadori rus në Britani është ftuar në takim për të sqaruar se si agjenti nervor është përdorur ndaj ish-spiunit rus dhe i ka dhënë afat deri më 13 mars që të japë një përgjigje të besueshme.
Ministria e Jashtme e Rusisë në një reagim të saj i cilësoi komentet e May-t akuza të motivuara politikisht dhe që bazohen në provokim.
Edhe para komenteve të May, Kremlini ka mohuar përfshirjen në këtë incident.



