
Tropoja është një tjetër degë që ka pasur probleme sa i përket Primareve. Feride Rrahmanaj një nga kandidatet në garë ka dhënë dorëheqjen ditën e sotme. Përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve të MCN TV, Rrahmanaj theksoi se problemi më kryesor i kësaj gare ishte mos përfshirja e anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së në listat për votime.
Sipas ish-kandidates, 600 persona nuk u përfshinë në këto lista pasi ishin mbështetës të hapur të saj.
Problematikat në Tropojë kanë qenë të shumta, por problemi më shqetësues është mos përfshirja e anëtarëve të PD-së dhe simpatizantëve në lista. Mbrëmë na erdhën listat dhe pas verifikimeve të bëra rezultoi që kishte mbi 600 simpatizantë që ishin hequr. Formularët ishin plotësuar konform rregullave dhe ishin dorëzuar. Këta janë hequr për arsyen se kanë shprehur hapur dëshirën për të më mbështetur mua. Kanë qenë hapur mbështetës të mitë. Unë kam konstatuar se kjo ka qenë tërësisht e njëanshme, e kam parë si të paracaktuar dhe fituesin nëpërmjet listave që na sollën mbrëmë. Iu hoq e drejta qindra demokratëve dhe simpatizantëve. Po përsëritet e njëjta gjë si në prill për zgjedhjen e kreut të PD në Tropojë.



