
Edhe në diasporë, Partia Socialiste ka siguruar një rezultat mbresëlënës, duke marrë mbi 61% të votave.
Dy në tre emigrantë duket se kanë votuar për PS, çka i siguron Ramës 83 mandate në Kuvendin e Shqipërisë.
Politologu Ilir Kalemaj, në një intervistë për “MCN Live”, ngriti dyshime serioze mbi mënyrën e zhvillimit të votimit në diasporë.
Ai e cilësoi procesin si "shitblerje masive në shkallë industriale", duke theksuar se janë regjistruar më shumë zarfe votimi sesa vetë votues të regjistruar.
Duhet t’i shohim të dy anët e medaljes. Në njëfarë mënyre, mund të jetë e kuptueshme që PS ka marrë 61%, pasi strukturat e saj kanë qenë të forta dhe të organizuara në emigracion, sidomos në Greqi. Por kur i futemi një analize më të thellë, dalin disa fakte shqetësuese.
Diferenca mes PS dhe opozitës (PD-ASHM) është rreth 40%, gjë që ngre pikëpyetje.
Në disa qarqe si Berati dhe Fieri, vota nga Greqia rezulton mbi 92% në favor të PS, gjë që praktikisht është e pamundur.
Një tjetër fakt i rëndë është se në Greqi kishte vonesa serioze me dërgimin e zarfeve, por brenda 24 orësh filluan të mbërrinin me shumicë. Madje, shumë zarfe duket se ishin të shkruara nga e njëjta dorë, ndërsa është raportuar se janë regjistruar rreth 1,000 zarfe më shumë sesa votues realë.
Këto janë situata të dala nga kontrolli. Kemi të bëjmë me një manipulim të madh elektoral që i ngjan shitblerjes së votës në një nivel industrial.
Politologu Kalemaj ngriti pyetjen se pse emigrantët nga Greqia kanë votuar mbi 98% për partinë në pushtet, ndërkohë që të gjithë emigrantët kanë ikur nga vendi për të njëjtat arsye, problemet socio-ekonomike.
Kjo ndihmoi PS-në të ngushtonte rezultatin në Lezhë, ku kandidati Pirolli kaloi nga një diferencë prej 2,000 votash në vetëm 50. Ndërsa në Fier, numri i votave ishte përtej çdo parashikimi elektoral.
Nuk kane sens, psh Berati të votoje 98% PS, Greqia apo Fieri, kjo nuk shkon sepse emigranti është njëlloj ata kanë ikur për situatën sociaekonomike.
Pse ky i Greqisë duhet votojë për partinë shtet, kurse ai emigranti i Amerikës apo Anglisë te votojë për opozitën.
Këto janë elementë të pashpjegueshëm në një analizë normale elektorale.
Kjo situatë kërkon një analizë të thelluar dhe hetim serioz për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.



