Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës ka zhvilluar sot konferencën me temë “Mikrofinanca Shqiptare: 25 Vite në shërbim të sipërmarrjes së lirë”, ku morën pjesë ekonomistë, financierë privatë e publikë, përfaqësues të institucioneve lider të mikrofinancës në Shqipëri; Përfaqësues të Bankës së Shqipërisë; Përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri dhe partnerë të ndryshëm vendas dhe të huaj.
Të pranishmit në takim theksuan rolin tejet të rëndësishëm që mikrofinanca ka në ekonominë shqiptare. Me mbi 350 000 kredi, institucionet e mikrofinancës kanë ndikuar në mënyrë direkte po kaq shumë vende pune për të vetëpunësuarit, për fermerët, për zanatçinjtë dhe njerëzit e thjeshtë.
“25 vite aktive në treg; mbi një miliard dollarë të injektuara në ekonomi; 350 000 kredi për fermerë dhe sipërmarrës të vegjël; me shumë se 1 100 punonjës aktivë, 220 degë të ndryshme dhe punësim indirekt për qindra mijëra njerëz. Këto shifra na bëjnë që sot të ndihemi krenarë pasi kemi ndikuar në jetën e shqiptarëve të thjeshtë në zonat urbane apo rurale, në zonat malore apo bregdetare, nga jugu në veri. Sot ne përfaqësojmë rreth 20% të numrit total të kredive në vend. Mikrofinanca është për ata individë që kanë përqafuar punën e ndershme dhe sipërmarrjen e lirë si mënyrë jetese të tyre”, u shpreh gjatë takimit kryetari i Shoqatës Shqiptare të Mikrofinancës, Bajram Muça.



