Deputeti socialist Erion Braçe propozoi një sistem shtrëngues të ngjashëm me atë që aplikohet ndaj deputetëve në lidhje me të ardhurat dhe pasurinë edhe për organizatorët e Lojërave të Fatit.
Duke folur në Komisionin për Ekonominë dhe Financave për draftin, Braçe shtroi pyetjen a mund ta japë SPAK-u miratimin e fundit për organizuesit e Lojërave të Fatit.
Ndër të tjera deputeti tha se qeveria duhet të japë përgjigje a është pro një platforme shtetërore unike për Lojërat e Fatit.
PKur kemi nisur këtë diskutim unë kam bërë disa propozime. Me thënë të drejtën nuk dëgjova nga ana e qeverisë lidhur apo mbi to. Natyrisht unë propozimet i kam për këtë komision dhe për qeverinë, unë miratim nga grupe interesi nuk thua me thënë të drejtën, për ato propozime që janë bërë sepse e di që shkojnë ndesh me interesat e tyre. Propozimet e mia në lidhje me dy shqetësime që janë serioze në këtë aktivitet gjatë 10-15-20 vitet e fundit, e para është kriminalizimi i këtij sektori dhe prezenca e krimit të organizuar në këtë sektor, dhe ky është shqetësimi im i parë. Propozimet që kam sjellë lidhen me çkriminalizimin e këtij sektori. Pra ishte kriminal, e mbyllëm, është kriminal sot që flasim dhe në të zezë dhe nga aq sa ka sjellë ligji unë nuk mendoj që janë të mjaftueshme që ky sektor të çkriminalizohet. Kjo është e para. E dyta që në gjykimin tim është problem dhe ka rëndësi, ka të bëjë me demotivimin e njerëzve për të luajtur. Unë besoj që ju të gjithë e keni dëgjuar atë aksiomën e famshme që ‘në bixhoz fiton vetëm organizatori, nuk fitojnë lojtarët’. Do të thotë që cilido program rehabilitimi të krijohet nga qeveria, nuk i mbron lojtarët më shumë se demotivimi për ta luajtur atë lojë. Unë besoj që interesi është që sa më shumë njerëz të demotivohen për ta luajtur lojën. Se sa më shumë ta luajnë aq më shumë do humbasin. Masa që demotivon luajtjen patjetër që duhet të ishte pjesë e ligjit, apo që kufizon masën e njerëzve që luajnë, patjetër që do duhej të ishte pjesë e ligjit. Thënë këto, patjetër që unë doja një qëndrim nga ana e qeverisë e para për propozimin për një platforme shtetërore, ku të gjithë ata që duan të organizojnë këtë lojë e aksesojnë. Dua të di, qeveria është pro apo kundër këtij propozimi. Natyrisht që ajo ju thoni është një zgjidhje e ndërmjetme, pra krijimi i një pasqyre që administrohet apo ku ka akses organi shtetëror, që ne do ta përcaktojmë, dhe që kontrollon gjithçka që ndodh nga kompanitë në organizimin veçanërisht të basteve, patjetër që është një zgjidhje, por do doja të dija nga ana e qeverisë për këtë propozimin që platforma të jetë unike e shtetit dhe ku të gjitha kompanitë të aksesojnë në të, është pro apo kundër. Së dyti që është po prapë një propozim që unë e kam bërë dhe që ishte shqetësim këtu nga disa kolegë, ka të bëjë me sistemin e taksimit të të gjithë veprimtarisë së Lojërave të Fatit, jo thjesht të lojtarit fitues. Që ne të marrim nga çdo 100 lekë i luajtur, vetë 1,5 lekë, domethënë mua më duket se e gjithë kjo përpjekje kaq e madhe për t’i ligjëruar e ku di unë, këto baste që janë në të zezë, besoj se është thuajse e papërfillshme. E mbi të gjitha kur ne në këto llogari duhet të pranojmë pretendimin e tyre, që në 100 lekë, ata shpërndajnë 90 lekë për lojtar, që unë të pranoj këtë duhet të jem i çmendur sinqerisht. Se që këta të vriten e të zhduken vetëm për 4,3 lekë vetëm në 100 lekë që luhen duhet të jesh i çmendur që ta besosh. Që këta bëhen copash duke vrarë e duke grabitur njëri-tjetrin rrugëve në pika që i kanë të ligjshme e të paligjshme tani, për 4,3 lekë, sinqerisht duhet të jesh i çmendur që ta besosh. Prandaj propozimi im ka të bëjë me sistemin e taksimit. Unë dua të di nga qeveria është pro apo është kundër, para se ta paraqes me shkrim në komision ditën që do votohet. Po prapë këtu te sistemi i taksimit, e gjej me vend që lojtarët fitues kanë qenë pa taksa dhe pa taksa mbeten në ligj. Po a është e drejtë kjo? Unë mendoj se është e padrejtë. Të rrish gjithë ditën e kuqe-e zezë e në darkë të dalësh e të bësh analistin nëpër TV, siç është një i famshëm shumë dhe të mos paguajë asnjë lloj tatimi ai për atë që fiton, ndërkohë që ai që ai që është brenda studios që ky i jep mend, dhe bën analiza të mëdha për qeverinë, qeverisjen, politikat kombëtare, por brenda asaj studios ka njerëz që janë profesionistë të lirë dhe që do të paguajnë atë tatimin që ne u kemi vendosur, për mua me të drejtë. Për mua nuk shkon. Ose do jemi të drejtë me të gjithë, edhe me parazitët e bixhozit, ose pastaj s’ka më asnjë kuptim. E fundit që kam, shikoni ka një sistem të kontrollit të deputetit shumë shtrëngues, dhe mirë është bërë, për President, kryeministër, ministra, zv.ministra, deputetë, drejtorë, ka një sistem kontrolli të të ardhurave, të pasurisë, shumë shtrëngues dhe është bërë shumë mirë. Tani një pyetje kam për qeverinë, po sikur këtë sistemin shtrëngues ta aplikojmë edhe për këta që duan të bëhen pjesë e organizimit të Lojërave të Fatit ka ndonjë problem?! Pra psh. për atë që do të organizojë Lojërat e Fatit dhe bëhet fitues, sikur të aplikohet ky sistemi i kontrollit që aplikohet për çdo qeveritar e deputet, ka ndonjë problem?! Se me thënë të drejtën këtë vend, ata kontrollohen në mënyrë rigoroze jemi pikërisht ne, as banditët, as kriminelët, dhe as ata që zotërojnë pasuri të paligjshme dhe që duan të riciklojnë dhe ta shtojnë pasurinë e paligjshme. Të vetmit që shtrëngohen në këtë mënyrë, dhe shumë mirë që shtrëngohen, janë deputetët, tani a ka mundësi të shtrëngohen edhe ca të tjerë? Dhe a ka mundësi që pasi të zhvillohet edhe procedura e garës për të dhënë ato licencat, kontrollin dhe miratimin e fundit ta japë një organ si SPAK-u. Ka problem?! Për këta që duan të organizojnë lojëra fati me paratë e pastra të lojtarëve, a mundet që këtë kontrollin e fundit, miratimin e fundit ta japë SPAK-u. Më ka rënë në vesh një praktikë për kazinotë në SHBA që miratimin e fundit e jep FBI-ja. Po e kërkoj si përvojë që kur të vijë vakti për ta votuar këtë ligjin ta vë në dispozicion si praktikë.



