Ish-prokurori Eugen Beci duke folur në emisionin “FactCheck” theksoi që kur bie besimi i publikut te drejtësia, nuk ka roje dhe detektorë që i ruan gjykatat e magjistratët. Beci vuri në dukje se KLGJ ka marrë masa sipërfaqësore dhe jo thelbësore mbi stokun e dosjeve në gjykata.
“Ndër vite ka patur kërcënime serioze, që krimi i organizuar...Shpesh herë ndodh që po, kërcënimet janë serioze dhe mund të sjellin pasoja të rrezikshme, por minimalja sjellin presion ndaj magjistratit. Duhen marrë në konsideratë masat që shteti duhet të marrë në mënyrë komplekse. Në rast se funksionon normal SHISH, Policia, sigurisht që masat mund të çojnë në rezultate pozitive që shmangin rreziqet ekstreme. Nuk është mjaftueshëm siguria e magjistratit me një roje të shtuar dhe me një detektor të shtuar. Në krimin e organizuar rol maksimal luan Inteligjenca.
Në rast se besimi i publikut te drejtësia vazhdon të bjerë s’ka detektor e roje që e ruan. Ku ka qenë KLGJ kaq vite? Kemi situatën e godinave, ku vetëm godina e Gjykatës së Posaçme është e përshtatshme, ndërsa të tjerat janë të gjitha të përshtatura dhe s’kanë elemente sigurie. Besimi i publikut te drejtësia rritet nëse ulet numri i dosjeve. Kemi një hartë gjyqësore të dyshimtë ku KLGJ nuk flet prapë. Rritja e numrit të procedimeve që zhvillohen në Dhoma Këshillimi pa palë! Kështu largohet nga publiku. Të gjithë këto elementë s’i ka prekur KLGJ. Krijimi i distancës së publikut me drejtësinë çon në gjuhë urrejtje dhe pakënaqësi. Në ambiente s’mban dot më dosjet, jo më të mbash sigurinë”.



