Rreth 40 mijë qytetarë të Rrogozhinës janë thirrur për të votuar mes tre kandidatëve për drejtimin e Bashkisë. Historikisht kjo bashki nuk është njohur si bastion politik, madje në dy mandate nga 2011 deri në 2019 është drejtuar nga kryebashkiakë të PDIU.
PS arriti ta rimarrë Rrogozhinën në zgjedhjet e 30 qershorit dy vite më parë, por ndryshe nga Bashkitë e tjera ku kryebashkiakët e PD nuk lironin zyrën, në Rrogozhinë Beqir Nuredini i PD ia dorëzoi miqësisht detyrën Haxhi Memollës.
Memolla nuk do e gëzonte as 7 muaj detyrën pasi 22 shkurtin e 2020 teksa po konsumonte një kafe pranë stadiumit të Peshkopisë në pushimin e ndeshjes Korabi-Egnatia, pësoi një infarkt kardiak dhe humbi jetën.
Në rrethana të tilla , PS komandoi një kryebashkiak të ri, 32-vjeçarin Edison Memollën. Rastësi apo jo, Edison Memolla kishte lidhje familjare me të ndjerin Haxhi Memolla.
Pasi drejtoi Bashkinë e Rrogozhinës për 2 vite ai është kandidati i PS në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
I diplomuar për Histori-Gjeografi, Memolla fillesat në politikë i ka në vitin 2004 si kryetar i FRESSH në Rrogozhinë, teksa nga vitin 2005 deri në 2010 ka luajtur dhe për ekipin e futbollit të qytetit, Egnatian.
Në fushatën e zgjedhjeve të 2021, Memolla u pa krah Veliajt dhe djalit të Aqif Rakipit, Orlando Rakipi i cili rezultoi në fund deputeti i katërt më i votuar në rang qarku.
Një ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit, teksa numëroheshin votat në KZAZ Nr.43 në Rrogozhinë, Edison Memolla u dhunua nga persona të paidentifikuar. Ngjarja nuk është zbardhur ende dhe kësaj dite.
Çarja e opozitës ka ndikuar dhe në Rrogozhinë. Ferdinand Saraçi dhe Hekuran Xhani ishin miq e bashkëpunëtorë pasi ndanin zyrën e degës së PD si kryetar dhe nënkryetar.
Pasi Basha e Berisha ndanë rrugët, Saraçi dhe Xhani mbajtën qëndrime të ndryshme dhe sot ndodhen para faktit të kryer si kundërshtarë për karrigen e kryeashkiakut.
Ferdinand Saraçi, kandidati i Partisë Demokratike, njihet si sipërmarrës në bujqësi për makineritë dhe mjete këmbimi.
Më parë ai ka jetuar në emigracion në Ital inga viti 1996 deri në 2001 teksa në shtetin fqinj ka dhe një dënim për armë mbajtje pa leje.
Në formularin e dekriminalizimit, Saraçi ka deklaruar se më 16 mars të 1999 është dënuar nga Gjykata e Chietit me 4 muaj burg dhe 100 mijë lira gjobë.
Pavarësisht se KQZ e certifikoi si kandidat, një ditë para nisjes së fushatës Prokuroria e Përgjithshme nisi verifikimet.
Mes kandidatëve në primaret e Komisionit të Rithemelimit të PD në Rrogozhinë, fitues doli Hekuran Xhani.
Ai ka qenë student i dhjetorit të 1990, themelues i PD, teksa me profesion është mjek veteriner.
Pas zyrtarizmit të kandidaturës së tij për kryebashkiak, një video u publikua në rrjetet sociale ku shfaqjet Hekuran Xhani i cili në gjendje të dehur, duke iu drejtuar Ferdinand Saraçit etiketonte me fjalor banal Edi Ramën, Lulzim Bashën, por dhe Sali Berishën.
Autori i videos nuk u zbulua, por Hekuran Xhani në reagimin e tij të parë publik më 13 shkurt nuk e mohoi vërtetësinë e regjistrimit.
Në zgjedhjet e fundit të 25 prillit, PS arriti një fitore bindëse, por Grida Duma e cila drejtonte dhe fushatën e PD në këtë Bashki foli për 3 banda dhe një krim elektoral ku ishte vetë dëshmitare.
Rrogozhina e vogël deri tani duket e qetë teksa tashmë fjala e fundit i mbetet qytetarëve.



