
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur sot 22 gushtin si datë për shpërbërje të Kuvendit të Kosovës, ku edhe do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Kryeparlamentari Kadri Veseli pas vendosjes nga kryesia e Kuvendit që vendi të shkojë në zgjedhje, ka vendosur që t’i marrë meritat për këtë çështje, duke bërë edhe pak fushatë, raporton Gazeta Express.
Veseli tha se falënderon të gjitha grupet parlamentare që iu përgjigjën atij pozitivisht në këtë mbledhje të thirrur.
“E kishim një takim shumë të mirë në të cilin patëm edhe vendimmarrje konsensuale për të marrë disa vendime të cilat janë interes qenësor i qytetarëve të vendit. I falënderoj të gjitha grupeve parlamentare që ju përgjigjen pozitivisht thirrjes sime që të përcaktojmë seancën për shpërndarje të Kuvendit të Kosovës që automatikisht i hap mundësi edhe presidentit të vendit që të dekordoj kuvendin për shpërndarje edhe datën e zgjedhje”, tha ai, derisa shtoi se në raste të tilla zgjedhjet janë dalje nga situata.
“Që nga dita e parë e kam thënë me vendosshëmri edhe sot e them e vetmja zgjidhje në momentin kur ka dilema apo situate janë zgjedhjet. Zgjedhjet nuk janë vetëm opsion por drejtim i duhur për qytetarët. Ky vend ka nevojë për vendosmëri për të ecur përpara”, ka shtuar.
Pas mbledhjes së Kryesisë ka folur shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.
“Ne u dakorduam të gjithë së bashku se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të përgatitura mirë, të gjitha institucionet të marrin detyrat, të gjithë jemi pajtuar se me datë 22 gusht, në orën 10 të shpërbëhet Kuvendi dhe pastaj të ndiqen të gjitha procedurat sipas Kushtetutës për të shkuar vendi në zgjedhje, dhe gjithashtu u dakorduam se përpara shpërbërjes të miratojmë marrëveshjen ndërkombëtare IPA”, ka bërë të ditur ai.



