Deputeti socialist, Pandeli Majko, thotë se vijimi i aleancës me LSI-në është në të mirë të stabilitetit të vendit dhe si i tillë duhet të vijojë.
Majko bëri thirrje që dy palët aleate në qeverisjen e majtë të ulen dhe të diskutojnë së bashku në lidhje me çfarë mund të bëjnë më mirë.
“Nuk kemi thënë ndonjëherë që marrëveshja me LSI-në do të ishte një marrëveshje e lehtë, përkundrazi. Unë hyj tek njerëzit që kanë pasur rezerva, por tani bëj pjesë tek kategoria e njerëzve që mendojnë se vazhdimi i marrëveshjes është mjaft i dobishëm. Mjaft i dobishëm edhe në sensin e asaj që ka të bëjë me stabilitetin e vendit. Dhe në këtë këndvështrim mendoj se ia vlen që të dyja palët të ulen dhe më shumë se sa të komunikojnë nëpërmjet mediave, qoftë edhe me akuza, të ulen në një tavolinë dhe të diskutojnë së bashku, me transparencë, lidhur me ato që bëjnë mirë, dhe me ato që mund të bëjnë më mire”, tha Majko për “Zërin e Amerikës”.



