
Në tingujt e violonçelit, pianos dhe zërit, fjalët e filmave të së kaluarës marrin sërish frymë.
Kjo falë koncertit “Fjalë nga e Kaluara”, që sipas Flavia Bakiut, aktore, Riviera Lazerit, violonçelistë dhe Dora Bakiut, pianiste, sjell kujtesën në skenë, aty ku muzika e shndërron heshtjen në emocion.
Të ftuara në “Zgjohu me MCN”, ato treguan për organizimin e tre koncerteve që do të mbahen në Shkodër, Vlorë dhe Tiranë, një udhëtim poetik që rikthen zërat e kinemasë shqiptare në kohën e sotme.
Flavia Bakiu
Kjo ide lindi nga një kërkesë e Dorës. Ne kemi kaluar shumë momente së bashku si familje artistësh dhe donim të krijonim diçka të përbashkët. Duhej ta realizonim diçka që na përfaqësonte, dhe filluam të kërkonim se çfarë vepre arti mund të sillnim. Kërkimi ynë u përqendrua te filmat e vjetër që na kanë shoqëruar gjithë jetën.
Përzgjedhja e fragmenteve ka qenë shumë emocionale. Është e rëndësishme të luash me kujtimet – me memorien përmes së cilës kalon çdo njeri. Do t’i realizojmë këto koncerte në Vlorë, Shkodër dhe Tiranë.
Riviera Lazeri
Jemi munduar të përzgjedhim filma si ‘Përrallë nga e Kaluara’, si pikënisje e projektit, ‘Udha e Shkronjave’ dhe ‘Lulëkuqet mbi Mure’.
Spektakli është i ndërtuar mbi kompozimet origjinale, të cilat i kemi riaranzhuar disi, sepse ishin të shkruara për orkestër, ndërsa ne jemi vetëm violonçel dhe piano. I kemi sjellë në kohën tonë, duke i dhënë nuanca moderne, por pa i prekur strukturat kryesore, sepse ato janë shumë të forta vetë.
Kinematografia shqiptare është një trashëgimi jashtëzakonisht e madhe. Ajo ka mbijetuar pavarësisht gjithçkaje që ka kaluar vendi dhe vazhdon të jetojë në memorien tonë. Edhe tekstet nuk i kemi ndryshuar, aktorja i interpreton ashtu siç janë shkruar.
Dora Bakiu
Ka qenë shumë e bukur mënyra se si Flavia i merrte tekstet dhe krijonte një lidhje intime me to. Duke i bashkuar, u krijua një tablo si një ‘puzzle’, ku çdo pjesë kishte vendin e vet dhe funksionin e vet në interpretim.
Kemi pasur mbështetjen e duhur për ta sjellë këtë projekt në Shqipëri, sepse ne të treja jetojmë në Itali dhe pa ndihmën e partnerëve këtu nuk do ta realizonim dot. Vijmë në Shqipëri për të bërë koncert falas, sepse ky projekt është edhe një dhuratë për publikun.
Ky spektakël është bërë i mundur falë mbështetjes financiare të Agjencisë Kombëtare për Mbështetjen e Shoqërisë Civile.



