Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, shprehet skeptik lidhur me rritjen prej 41 miliardë lekë për vitin 2022 në arkëtimet e buxhetit të shtetit.
Ai thotë se çdo shifër statistikore duhet parë më shumë se nga një këndvështrim dhe se e parë e vetme e palidhur me tregues të tjerë duket si histori suksesi dhe dikush mund të pretendohet si rritje ekonomike.
Në emisionin MCN Economy, Zusi ngriti pikëpyetje nëse ka rritje të shitjeve në volum të produkteve apo kjo rritje e të ardhurave ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimeve.
Për të pasur rritje ekonomike, duhet të ketë rritje të volumit të produkteve të tregtuara, që do të çonte në rritje ekonomike. Jam kritik ndaj rritjes së të ardhurave publike, në një situatë të tillë do të duhet të uleshin të ardhurat publike, në mënyrë që të ardhurat të mbeten në ekonomi.
Kjo shifër e cila duket si sukses, e shoh me shumë dyshim, por dua të shoh volumet dhe likuiditetin që biznesi ka në dorë për të mbijetuar. Kjo rritje në pjesën e saj dërrmuese duhet të ketë ardhur nga rritja e çmimit të karburantit, gazit, energjisë elektrike dhe produkteve të tjera.
Të gjitha këto bashkë impaktojnë çdo lloj prodhimi të brendshëm. Ajo që nuk dimë është se sa pjesë e kësaj rritje ka ardhur për shkak të rritjes ekonomike, për shkak se bizneset shqiptare po prodhojnë më shumë në volum, në tonazh, në vëllim, në copë.
Nuk është se po dëgjojmë se ka biznese që kanë rritur volumin, shitjet, përkundrazi, po përpiqen të gjithë të ruajnë atë që kanë pasur, ndonjë edhe ka rënë, kanë ulur përgjithësisht marzhin e fitimit.
Biznese të mëdha dhe të vogla po punojnë me marzh të ulur fitimi. Më shumë se rritje të ardhurash, është një shtrydhje e ekonomisë.
Një pjesë e bizneseve po ua marrin lëndët e para, një pjesë tjetër rritja e çmimit të energjisë dhe gazit dhe një pjesë tjetër po ia marrin taksat e shtetit, nuk është rritja e ekonomike.
Nuk është e bashkëshoqëruar, nuk është rrjedhojë e rritjes ekonomike. Pasi në të kundërt do dëgjonim që bizneset po lulëzojnë, ne nuk po përjetojmë një bum ekonomik.
Kam bindjen e plotë që është tregues ekonomik negativ në këto lloj kushtesh, për të kaluar këtë situatë duhen lënë sa më shumë para në duart e bizneseve.
Sipas tij, rrallë herë mundet që paratë publike të përdoren në mënyrën e duhur në ekonomi, duke thënë se e shumta buxheti do i çojë në 2-3 drejtime, ndërkohë që ekonomia ka me dhjetëra drejtime që duhen ushqyer në mënyrë të natyrshme.
Zusi shtoi se e vetmja mënyrë për t’i ushqyer njëlloj është lënia e parave në duart e atyre bizneseve që i prodhojnë.
Nëse vazhdon kështu, mendoj se pas dy muajve të verës, nga shtatori e mbrapa parashikoj stuhi ekonomike nëse vazhdojmë t’i heqim paratë nga duart e qytetarëve. Ata i shpërndajnë më mirë të ardhurat.
Më e shëndetshmja është ta shpërndajmë tek qytetari, ose ta lëmë tek bizneset. Mënyra më pak efektive për të përdorur paratë është buxheti i shtetit.
Nuk është një motiv për të qenë krenar dhe për tu mburrur për çfarë kemi arritur.
Lidhur me rritjen e pagave me 4.4% më shumë se në vitin 2021, Zusi tha se shumica e bizneseve kanë bërë rritje mbi 10% të pagave, nga fundi i vitit dhe në muajin mars, sepse punonjësit nuk e përballonin dot rritjen e çmimeve.
Sipas tij, është rritje që bëhet për tu solidarizuar me punëtorët dhe se po nuk u paguan dhe po nuk i’u rritën pagat do kërkojnë alternativa të tjera dhe do largohen.
Kuptuam dështimin që patëm me punëtorë të huaj të ardhur nga Bangladeshi. Ikën u larguan, ishte një eksperiment njerëzish që u nisën për të sjellë emigrantë për të kaluar kufirin.
Mendoj se ishte rrjet i organizuar trafikimi njerëzish dhe na bëri të reflektojmë dhe kuptojmë se ka hapësira për të motivuar punonjësit tanë. Duhet ti shpërblejmë në bazë të performancës në këtë formë edhe rezultatet vijnë.
Ndoshta jemi para kohe që të fillojmë të punësojmë të huaj. Po largohen ata që kanë aftësi dhe kualitete për të punuar për shkak të politikave të pamenduara se si i taksojmë njerëzit që punojnë fort.
Mungesa e nxitësve për këto kategori njerëzve, po na e bën goxha të vështirë jetesën.



