Qeveria e Indisë tërhoqi të premten thirrjen e saj për qytetarët që të shënojnë ditën e Shën Valentinit javën e ardhshme jo si një festë romantike, por si “Dita e përqafimit të lopës” për të promovuar më mirë vlerat hindu.
Apeli kishte ngjallur kritika të gjera nga rivalët politikë por dhe në mediat sociale.
Një deklaratë e shkurtër u lëshua nga Bordi i Mirëqenies së Kafshëve të Indisë, i drejtuar nga qeveria, njoftonte se thirrja e lëshuar të mërkurën është tërhequr.
Nilanjan Mukhopadhyay, një analist politik, deklaroi se thirrja për të përqafuar lopët ishte “absolutisht e çmendur, duke sfiduar çdo logjikë”.
Vendimi për të tërhequr thirrjen e qeverisë ishte për të parandaluar që politika e hindu (nacionalizmit hindu) të tallet përballë kritikave të ashpra nga të gjitha anët.
Indianët e rinj dhe të arsimuar zakonisht e kalojnë ditën e Shën Valentinit duke mbushur parqet dhe restorantet, duke shkëmbyer dhurata dhe duke organizuar festa.
Bordi i Mirëqenies së Kafshëve deklaroi të mërkurën se “përqafimi i lopëve do të sjellë pasuri emocionale dhe do të rrisë lumturinë individuale dhe kolektive”.
Hindutë e devotshëm, të cilët adhurojnë lopët si të shenjta, thonë se festa perëndimore bie ndesh me vlerat tradicionale indiane.
Vitet e fundit, grupet e linjës së ashpër hindu kanë bastisur dyqanet që shesin sende për Ditën e Shën Valentinit, kanë djegur karta dhe dhurata dhe kanë ndjekur çiftet që kapeshin për dore nga restorantet dhe parqet, duke këmbëngulur se kjo ditë promovon shthurjen. Grupet nacionaliste hindu si Shiv Sena dhe Bajrang Dal thonë se bastisje të tilla ndihmojnë në rikthimin e identitetit hindu.
Qeveria e Kryeministrit Narendra Modi ka shtyrë një axhendë hindu, duke kërkuar supremacinë e fesë në një komb laik të njohur për diversitetin e tij. Hindutë përbëjnë gati 80% të afro 1.4 miliardë njerëzve. Myslimanët përbëjnë 14%, ndërsa të krishterët, sikët, budistët dhe xhainët përbëjnë pjesën më të madhe të 6% të mbetur.
Lopa ka qenë prej kohësh e ngulitur në mendësinë hindu dhe respektohet thellësisht nga shumë njerëz si e shenjtë. Shumica e shteteve në Indi e kanë ndaluar therjen e lopëve.



