
Vijon sërish protesta në fshatin Lumas të Kuçovës për burimin e Sinecit. Mësohet se ditën e sotme protesta është shoqëruar me përplasje e konflikt fizik mes banorëve të dy fshatrave.
Nga raportimet bëhet e ditur se ka pasur konflikt fizik mes banorëve të fshatit Lumas dhe atyre të fshatit Vodës për ujin e pijshëm.
Banorët e Lumasit janë kundër shfrytëzimit të burimit të Sinecit për ndërtimin e ujësjellësit, ndërsa kanë nisur prej disa ditësh grevën e urisë.
Nga ana tjetër, banorët e fshatit Vodës kërkojnë që të ndërtohet ujësjellësi në burimin e Sinecit, që është zonë e mbrojtur.
Kujtojmë se banorët e fshatit Lumas kanë hyrë edhe në grevë urie për shkak të ndërtimit të një ujësjellësi nga kompania Salillari, duke pretenduar se punimet po kryhen në një zonë të mbrojtur.
Në kërkesat e banorëve përfshihet pezullimi i punimeve të ujësjellësit, pezullimi nga detyra i drejtorit të policisë së Shtetit Ardi Veliu, shkarkimi nga detyra i drejtorit të policisë vendore të Elbasanit si dhe një takim me kryeministrin Rama.



