Kreu i qeverisë, Edi Rama ka pritur në kryeministri ministrin e Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel. Pasi kanë biseduar të dy kokë më kokë, kreu i qeverisë dhe numri 1 i diplomacisë gjermane kanë dalë edhe në një konferenë së bashku.
Gjatë fjalës së tij, Rama e ka falënderuar për të gjithë kontributin që Gjermani ka dhënë në lidhje me Reformën në Drejtësi.
“E vlerësoj për angazhimin për të rritur bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar për procesin e integrimin europian të Shqipërisë, i jemi shumë të njohur Gjermanisë, qeverisë gjermane, kancelares, dhe ministrit të Jashtëm për mbështetjeje e në realizimin e reformave transformuese në vend, dhe padyshim reformës në drejtësi. Një mbështetje e shprehur por edhe e pasqyruar më së miri në ekspertizën dhe asistencën gjermane për forcimin e administratës publike, shtetin e së drejtës, dhe projektet në infrastrukturë, energjetikë, arsim profesional e jo vetëm", tha Rama.
Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij deklaroi se i dha garancinë ministrit gjerman dhe i tregoi vendosmërinë se Reforma në Drejtësi do të vazhdojë.
"E informova ministrin e Jashtëm për të gjitha hapat që Shqipëria ka ndërmarrë në përmbushje të prioriteteve për anëtarësimin në BE dhe për të gjitha sfidat që ne kemi, duke nisur nga më e rëndësishmja që është fillimi zbatimit të vettignut, për të pastruar sistemin e drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Duam t’i japim mesazhin e qartë ndërkombëtarëve se Shqipëria është gati për të filluar bisedimet për anëtarësimin në BE", tha më tej Rama.
Po ashtu, kryeministri deklaroi se gjatë takimit është folur edhe për situatën në Rajon.
"I dëgjuam më vëmendje shqetësimin e ministrit të Jashtëm gjerman për situatë në rajon. Takimi i radhës në Trieste për procesin e Berlinit synohet të jetë frytdhënës. Patjetër që ne jemi të gatshëm për të vijuar më tej me reformën, dhe do të qëndrojmë përkrah Gjermanisë për sfida të përbashkëta. Synojmë që në Shqipëri dhe rajon të afirmohet fryma Europiane dhe të mbahet larg fryma e aktorëve të tretë që nuk kanë lidhje me perspektivën europiane të Shqipërisë”, theksoi kryeministri.
Ndërsa, nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, theksoi edhe një herë se deklarata e bëra për opozitën, ku e kritikoj atë për bojkotonin, përfaqëson qëndrimin zyrtar të Qeverisë Gjermane, dhe jo të tijin personal.



