
Ministri i Brendshëm Taulant Balla komenton operacionin e një dite më parë, ku në repartin ushtarak të Zall Herrit në Tiranë, u zbulua një parcelë me kanabis sativa dhe thotë se është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë Ushtarake.
Në rastin e operacionit që ne kemi ndërmarrë kundër kultivimit të lëndëve narkotike, rasti në fjali kemi pasur bashkëpunim edhe me Policinë Ushtarake.
Në atë koordinatë kemi vepruar të dyja edhe Policia e Shtetit edhe Policia Ushtarake. Puna vazhdon.
Balla foli për rezultate të mira në operacionin kundër kanabisit, teksa shtoi se janë angazhuar 6000 forca të Policisë së Shtetit edhe Policisë Ushtarake.
Gjatë zbulimit të parcelës me 125 bimë kanabis në territorin e repartit ushtarak, u vunë në pranga tre ushtarakë, Gramoz Mullai, 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë, Rustem Koçi, 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin dhe Gentian Zhurda, 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.
Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrastrukture, P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge, I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier dhe P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti.



