Ata që menaxhojnë zgjedhjet presidenciale kanë përveshur mëngët. Amerikanët nuk duhet të presin për të marrë vesh emrin e presidentit të tyre të ri mbrëmjen e së martës (natën midis të martës dhe të mërkurës në Shqipëri).
Nata e gjatë e nxjerrjes së rezultateve nga qarku në qark mund të pasohet me ditë të tëra numërimi fletësh votimi që kanë mbërritur me postë. Dhe, në rast ankimimi (që ka gjasa), javë të tëra.
Vonesat do të vijnë për shkak të numrit të madh të votave me postë, një opsion që shumë amerikanë e kanë zgjedhur nga frika e pandemisë. Shumë shtete nuk janë mësuar me numërimin e një sasie të madhe votash në distancë dhe nuk kanë sisteme për ta përfunduar numërimin menjëherë pas mbylljes.
Sidoqoftë, disa rezultate mund të japin një panoramë të qartë se si po shkojnë gjërat.
Gjashtë shtetet që duhen ndjekur me vëmendje janë Florida, Pensilvania, Miçigani, Karolina e Veriut, Arizona dhe Uiskonsin.
Nga këto, Florida është mbase më vendimtarja, por ka edhe kapacitetet për të komunikuar së pari një rezultat zyrtar: ndoshta që në orën 9 pasdite me orën lokale, 3 e mëngjesit në Shqipëri.
Karolina e Veriut dhe Arizona mund ta ndjekin dy orë më vonë. Disa vëzhgues janë të bindur se në rast të një fitoreje të qartë për Joe Biden ditën e zgjedhjeve, rezultati do të merret vesh në 8:00 të mëngjesit në Europë. Por kjo duket pak e vështuirë, pasi në këto zgjedhje 4 në 5 votues demokratë pretendojnë të kenë votuar paraprakisht ose me postë.
Qëllimi i të dy rivalëve është arrijnë "numrin magjik" të 270 votave elektorale, me të cilat fiton mandatin e parë (në rastin e Biden) ose merr një të dytë (në rastin e Trump).



