
Një krim i rëndë në familje tronditi këtë të enjte Shkodrën. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 në zonën e unazës perëndimore të qytetit, ku një burrë dyshohet se vrau bashkëshorten e tij me armë gjahu.
E ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, gazetarja Klodiana Lala tha se, bazuar në informacionet paraprake dhe pamjet e siguruara, autori dyshohet se e ka kryer krimin me gjakftohtësi, pas një debati të nxitur nga motive xhelozie për një telefonatë.
Autori është arrestuar pas kryerjes së këtij krimi të rëndë. Ngjarja ndodhi në mes të ditës, ndërsa çifti jetonte vetëm në banesën e tyre në Shkodër.
Sipas dyshimeve paraprake, pati një debat mes bashkëshortëve për motive xhelozie, që lidhen me një telefonatë që dyshohet se kishte marrë bashkëshortja.
Më pas, autori ka marrë armën e gjahut, ka dalë te dera kryesore për të kontrolluar nëse kishte njerëz jashtë dhe është rikthyer për ta qëlluar gruan brenda ambienteve të banesës.
Deri tani nuk rezulton që të ketë pasur denoncime apo sinjalizime të mëparshme për konflikte në familje.
Nuk ka pasur asnjë shqetësim të raportuar nga familjarët apo të afërmit. Viktima njihej si një grua e përkushtuar ndaj familjes.
Ngjarja rikthen në vëmendje fenomenin e dhunës në familje.
Problemi lidhet me dhunën ndaj grave dhe konfliktet brenda familjes. Është një plagë shumë e rëndë e shoqërisë shqiptare, që vazhdon të marrë jetë.



