Në ditën e Europës, Kryeministri Edi Rama, përkrah ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, deklaroi se Europa vijon të mbetet për shqiptarët një ëndërr dhe “tokë e premtuar”, pavarësisht sfidave dhe kohëve të vështira që po kalon kontinenti.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se rruga europiane e Shqipërisë nuk është thjesht një objektiv politik, por një amanet kombëtar dhe një zgjedhje historike pa kthim.
Ai kujtoi periudhën e izolimit të vendit, kur Europa shihej vetëm përmes sinjaleve të dobëta televizive që depërtonin nga jashtë kufijve të Shqipërisë.
Europa për ne mbetet një ëndërr dhe tokë e premtuar, amanet i pajetërsueshëm kombëtar dhe mision i pandryshueshëm politik.
Kryeministri nënvizoi se shqiptarët e kuptojnë më mirë se kushdo tjetër në kontinent se çfarë do të thotë izolimi dhe ndarja nga Europa, ndaj integrimi në Bashkimin Europian mbetet garancia më e madhe për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të ardhmen e vendit.
BE garanton perimetrin e shtetit të së drejtës dhe kjo nuk mund të negociohet. Është një rrugë pa kthim.



